UBT

De Biazi: FSHF ka “fjetur” në rastet e Behramit dhe Shaqirit

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Tiranë – Duke folur për Tele Radio Stereo, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni de Biasi, indirekt fajësoi Federatën Shqiptare të Futbollit se nuk ka bërë sa duhet për të punuar në afrimin e lojtarëve cilësorë shqiptarë që luajnë me përfaqësueset e vendeve të tjera, siç janë mesfushorët Valon Behrami e Xherdan Shaqiri, të cilët luajnë në nivele shumë të larta, njëri me Napolin në Serie A dhe tjetri me Bayernin e Munihut, që të dy pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve të Evropës.

Në të vërtetë deklaratat e De Biasi pritet të sjellin përshtjellim, nisur dhe nga mosnjohja sa duhet e fenomenit, pasi Valon Behramit i është bërë ftesë publike të vesh fanellën e përfaqësueses tonë dhe ai fillimisht ka pranuar, por në momentin fundit ka vendosur të luajë për Zvicrën. Natyrisht që deklaratat e De Biazit pritet të shkaktojnë një reagim të fortë dhe brenda FSHF-së, pasi të paktën për rastin Behrami FSHF-ja ka të drejtë, kjo nisur nga qëndrimi aspak serioz që kosovari ka mbajtur në atë kohë.

“Shqipëria ka shumë talente, por ata duhen men ahuar dhe të formohen më mirë në planin taktik. Por ka dhe shumë lojtarë të tjerë që mund të ishin tani pjesë e kombëtares shqiptare, por në realitet luajnë për vendet e tjera. Për shembull federata nuk duhet të kishte fjetur në rastet e Valon Behramit dhe Xherdan Shaqirit”, ka thënë ai.

“Valon Behrami dhe Xherdan Shaqiri mund të kishin luajtur sot për Shqipërinë nëse FSHF do të ishte syçelë dhe të këmbëngulte më shumë. Ne sot në Kombëtare marrim shumë talente që janë rritur në vende të tjera, por ajo (FSHF) mund të kishte qenë më e fokusuar në këtë drejtim, pasi unë përmenda dy lojtarë që mund të kishin luajtur për Shqipërinë”, tha De Biasi për Tele Radio Stereo.

Ndërkohë, De Biazi foli dhe për objektivat ë ai ka në krye të skuadrës tonë përfaqësuese, duke shtuar se objektivi madhor është kualifikimi për në kampionatin e ardhshëm evropian që zhvillohet në Francë më 2016.

Hidromorava

“Tani ne kemi nisur përgatitjet për Evropianin e 2016-s dhe besoj se do të bëjmë një sezon të mirë. E di shumë mirë se nuk do të jetë e lehtë, por gjithë përqendrimi ynë do të jetë në këtë pikë. Tashmë ne kemi një qëllim dhe shpresojmë ta realizojmë me sukses, pavarësisht se kjo gjë nuk është e lehtë”, shtoi de Biazi.

Në fund ai përmendi disa nga lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali dhe që janë talente të spikatur e mund të luajnë në nivele të larta me klubet e mëdha italiane. Kështu, ai përmendi Elseid Hysajn, mbrojtësin që luan te Empoli, Romeo Rahinas që luan me të rinjtë e Romës, si dhe Entonio Elezajn që luan po ashtu me skuadrat e moshave të Juventusit.

Në të vërtetë De Biazi nuk ka mundur t’i përmendë të gjithë, pasi me skuadrat e moshave në klubet italiane luajnë me dhjetëra të rinj shqiptarë që janë një bazë e fuqishme për të ardhmen e Kombëtares dhe ambicieve të saj në vitet në vazhdim. Por deklaratat e tij në median italiane mund të sjellin pakënaqësi në radhët e zyrtarëve të federatës tonë të futbollit, të cilët, në qëndrimet e tyre zyrtare janë shprehur se kërkimi dhe lutja e talenteve shqiptare që luajnë në vendet perëndimore, që të zgjedhin të luajnë për Shqipërinë, arrin deri në përulje.

Sipas tyre, janë ftuar thuajse të gjithë ata lojtarë që kanë paraqitur interes ose që kanë qenë futbollistë cilësorë në skuadrat e tyre, duke bërë kontakte që në moshat U-15, por justifikimi i FSHF-së është se pjesa dërrmuese e këtyre futbollistëve që janë cilësorë nuk pranojnë të luajnë për Shqipërinë, duke zgjedhur të përfaqësojnë fanellat e kombëtareve të Zvicrës, Norvegjisë, Suedisë, Gjermanisë etj dhe duke e konsideruar ofertën e bërë nga FSHF si të dorës së dytë.