KKGJILAN

De Biasi: Kosova s’na i prek lojtarët

/ 3 minuta lexim

Gianni De Biasi nuk dëshiron të flet për ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë. Megjithatë, përzgjedhësi i kuqezinjve ishte i hapur të flasë për futbollin e Kosovës.

Në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, italiani i është gëzuar vendimit që vitin tjetër të vihet në votim kërkesa e Kosovës për pranim në UEFA dhe shprehet optimist që më në fund, edhe ky sport kosovar të ndërkombëtarizohet.

“Besoj se kjo do të ndodhë. Është një urim që ia bëj Federatës së Futbollit të Kosovës. Mendoj se është e drejtë që edhe Kosova ta ketë një pjesëmarrje në kompeticione të rëndësishme”, u shpreh De Biasi.

Ai është i bindur se Kosova nuk do t’ia marrë Kombëtares kuq e zi lojtarët kosovarë, të cilët e bartin barrën kryesore në ekipin e tij.

“Në këtë drejtim ka mjaft bashkëpunim, koordinim dhe mjaft respekt në mes të palëve dhe askush s’do të bëjë ‘lojëra’ të çuditshme ndaj tjetrit. Ata që janë tashmë me ne, janë praktikisht me ne dhe bëjnë pjesë në projektin tim”, ka deklaruar De Biasi.

Mund të largohen ata që duan

UBT

Mirëpo, De Biasi zotohet se askush nuk do t’i ndalojë lojtarët që kanë dëshirë ta ndryshojnë ekipin përfaqësues, duke e përmendur si shembull rastin e Samir Ujkanit.

“Por, është e qartë se nëse është dikush që dëshiron të ndryshojë ambient, mendoj se nuk do të ketë probleme. Këtë e ka bërë Ujkani, ishte me ne dhe nuk bënte pjesë më në projektin tonë dhe ka shkuar me seleksionin e Kosovës. Ata që nuk do të bëjnë pjesë në planet e Shqipërisë, mund ta konsiderojnë Kosovën, këtu nuk ka diskutim, është normale”, thotë De Biasi.

Kosova ka plane për të ardhmen

Zëri shkruan se përzgjedhësi i Kombëtares beson se Kosova do të shikojë t’i afrojë talentët e së ardhmes, të cilët nuk luajnë ende për Përfaqësuese të tjera.

“Unë kam biseduar personalisht me drejtuesit e FFK-së dhe më kanë thënë se Kosova nuk e ka ndërmend t’i marrë lojtarët që kanë luajtur për Shqipërinë. Mendoj se në këtë pikë, nuk do të ketë probleme. Mendoj se Federata e Kosovës dëshiron ta bëjë një projekt me lojtarë të rinj, me perspektivë, për të bërë mirë në të ardhmen”, nënvizoi De Biasi. Ai beson në grupin e lojtarëve që ka në dispozicion dhe thotë se nuk i duket e drejt që t’i shkaktojë kokëçarje FFK-së. “Por, nëse ndonjë lojtar do na interesonte ne, do ta shqyrtonim këtë mundësi”, pohon ai.

Sa i përket një miqësoreje eventuale ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, De Biasi e sheh mjaft të vështirë një gjë të tillë, pasi thotë se ndeshjet aranzhohen shumë më herët dhe është problematike të ndodhë kjo.