Fundamenti

De Biasi: Do ta thërras Avdijajn

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

“Jo, nuk kam kontaktuar, por kam informacion se federata ka folur me babanë e tij dhe përgjigjja ka qenë negative”, ka thënë De Biasi për talentin kosovar të Schalke 04, Donis Avdijaj.

Nuk kishte sesi të mos nënvizohej një si Dionis Avdijaj edhe në bllokun e Gianni De Biasit. Por, duhet thënë se gjithsesi, dje, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, trajneri i Kombëtares Shqiptare është treguar i matur, duke i zgjedhur me kujdes fjalët për talentin e Schalkes. Sipas tij, Avdijaj mund të jetë një “përjashtim nga rregulli” dhe të grumbullohet në përfaqësuesen shqiptare edhe pse është vetëm 18 vjeç, por më së pari ai duhet që të debutojë me Schalken në Bundesligë. Italiani thekson se është i gatshëm ta ftojë që në ndeshjen me Portugalinë, duke plotësuar kështu edhe kushtin e vënë nga babai i futbollistit (ka pohuar se Dionisi nuk e refuzon Shqipërinë, por pranon të luajë vetëm për Kombëtaren A). Sakaq, De Biasi ka folur edhe për gjendjen e lojtarëve të përfaqësueses në prag të startit të edicionit të ri, si dhe lëvizjet në merkato.

Po flitet shumë për Dionis Avdijajn, ju keni informacion për të?
Sigurisht që kam informacion. Jam trajner i Kombëtares dhe them se kam njohuri të mjaftueshme për thuajse çdo lojtar shqiptar që luan në Europë ose edhe më larg.

Keni kontaktuar me të?
Jo, nuk kam kontaktuar, por kam informacion se federata ka folur me babanë e tij dhe përgjigjja ka qenë negative.

Në fakt, i ati i lojtarit pohon se nuk e ka refuzuar Shqipërinë, por kërkon të luajë vetëm me Kombëtaren A…
Po, është tamam kështu. Ai ka vendosur si kusht që të luajë vetëm me skuadrën e parë dhe jo me Shpresat. Ndërsa ne kemi gjykuar se do kishte qenë më mirë nëse ai do të provonte të luante pak kohë me ekipin që drejton Gega. Në gjykimin tim nuk ka asgjë të keqe, pasi nuk duhet të harrojmë se djaloshi është ende shumë i ri. Më duket se sapo i ka mbushur 18 vjeç.

Eco Higjiena

Edhe Cana, kur ka ardhur në Kombëtare, ka vendosur të njëjtat kushte…
Pikë së pari, jemi në kohë të ndryshme dhe së dyti, Cana ka qenë një rast unikal, që në fund të fundit Shqipërisë i doli për mbarë.

Dakord, por nëse është një talent, ç’të keqe ka të thërritet edhe në Kombëtaren e parë? Ka shembuj plot në botë që trajnerët e kombëtareve kanë grumbulluar, madje edhe 17- vjeçarë….
Jo, nuk ka asnjë të keqe dhe këtu jam dakord me ju, por nëse i referoheni për shembull Ualkotit, Ouenit, Mesit, etj., lojtarë që janë grumbulluar nga Kombëtaret fare të rinj, ju bëj me dije se në atë kohë këta lojtarë luanin edhe në kampionat me skuadrat e tyre. Ndërkohë, unë di që Avdijaj nuk ka luajtur ende asnjë sekondë me Shalken. Gjithsesi, e kam pasur dhe e kam shumë në konsideratë dhe sinqerisht uroj që ai të jetë një talent i tillë edhe pas tre-katër vitesh. Pak rëndësi ka nëse do luajë me ne apo jo, paçka se unë, ju dhe gjithë shqiptarët besoj se do ta donim ta kishim në skuadër.

Pse thoni pas tre-katër vitesh?
Sepse në këtë moshë unë kam parë shumë, shumë lojtarë që shihen si talente, por më pas, kur kalojnë moshën 20-22 vjeç, pikërisht atëherë kur bëhet edhe diferenca dhe rritet shkalla e vështirësisë, kanë rënë totalisht ose janë zhdukur fare nga qarkullimi. Unë uroj dhe besoj se Avdijaj nuk do i përkasin këtij rangu, ndaj e mbaj në konsideratë.

Që do të thotë se mund ta grumbulloni në Kombëtare?
Ju siguroj se nëse luan, qoftë edhe pak minuta me Shalken që në këtë fillim kampionati, do ta thërras për ndeshjen e shtatorit. Sigurisht, po bëri edhe ndonjë gol do jetë akoma edhe më mirë. Nëse nuk debuton tani, por në tetor, atëherë do ta thërras në ndeshjet e nëntorit, e kështu me radhë. Ju siguroj se asnjë trajner nuk ankohet nëse ka lojtarë të mirë që duan të luajnë për skuadrën që ai drejton. Megjithatë duhet theksuar edhe diçka tjetër: ne nuk kemi shumë kohë për eksperimente. Sezoni i kualifikimeve është pak më shumë se një vit. Fillon në shtator (2014) dhe mbaron në tetor (2015), ndaj unë kërkoj që të kem lojtarë që më japin rendiment të menjëhershëm, pasi na duhen me patjetër rezultatet për të arritur objektivat./panorama/