Uji Dea

Davenport: Liderët politikë të Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një zgjidhje për të de-përshkallëzuar situatën

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, tha se u takon liderëve politikë të Kosovës dhe Serbisë që “të gjejnë një zgjidhje për të de-përshkallëzuar situatën”, veçanërisht pas sulmit të armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator.

Duke folur për gjendjen në veri të Kosovës pas braktisjes së institucioneve nga serbët e Kosovës, kreu i OSBE-së thekson se “përbërja e policisë duhet të pasqyrojë përbërjen e qytetarëve”.

I pyetur për të komentuar për mos mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, gjegjësisht mbledhjen e votave, të cilën ky mision e ka bërë në të kaluarën, Davenport tha se ka marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës se nuk ka kushte sigurie për mbajtjen e këtij procesi.

“Sulmi i armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë ishte një incident i rëndë”, tha ambasadori Davenport, për RTK2.

“Është e rëndësishme të qetësohet situata tani. Ne pamë që KFOR-i e rriti numrin e ushtarëve në veri pas këtyre incidenteve. Besoj se tani i takon liderëve politikë që të gjejnë një mënyrë konkrete për të de-përshkallëzuar seriozisht të gjithë situatën, për të ecur përpara, dhe ka të bëjë me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Për të shmangur çdo tension të ri”, tha Davenport.

Uji Dea

Ambasadori Davenport thotë se “krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte rezultat i marrëveshjes së parë të vitit 2013”.

“Ne si mision i OSBE-së jemi të gatshëm të mbështesim edhe zbatimin e kësaj marrëveshje, nëse do të ketë një statut që do të jetë në përputhje me obligimet në kuadër të dialogut dhe që i plotëson të gjitha nevojat. Është e rëndësishme që të shohim progres në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të tjera, dhe të ecim në drejtim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shtoi diplomati britanik.

Davenport tha se qëndrimi i misionit të OSBE-së për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për kthimin e tokës në manastirin Deçanit është i qartë.

“Bëjmë thirrje që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016. Ky vendim është marrë shtatë vite më parë dhe është e papranueshme që nuk zbatohet. Bëhet fjalë për pronën e manastirit prej 24 hektarësh. U bëjmë thirrje organeve kompetente që të kryejnë të gjitha obligimet e tyre për ta regjistruar atë tokë në kadastër, kjo është një çështje e qartë, është në lojë sundimi i ligjit”, përfundon shefi i misionit të OSBE-së”, tha ai.