Daut Xhemajli shpallet i pafajshëm, nuk u vërtetua teza e prokurorisë
Gjilan – Gjykata e Gjilanit e ka shpallur të pafajshëm Daut Xhemajlin pasiqë trupi gjykues ka vlerësuar se gjatë gjykimit nuk është vërtetuar teza e prokurorisë se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Ish zëvendësministri i Drejtësisë dhe ish-shefi i Administratës dhe Personelit në Komunën e Vitisë Daut Xhemajli është shpallur i pafajshëm nga një trup gjykues i Gjykatës së Gjilanit, i kryesuar nga Afrim Shala.
Daut Xhemajli u lirua me arsyetimin se gjatë gjykimit nuk u vërtetua teza e prokurorisë se ai kreu veprën penale për të cilën akuzohej.
Ndryshe Daut Xhemajli akuzohej se në kohën sa ishte shef i Administratës dhe Personelit në vitin 2009, pa përfillur Zyrën e Prokurimit kishte lidhur kontratë me vlerë prej 7,900 eurove për implementimin e punëve të projektit “Rregullimi i trotuareve dhe drunjve dekorativë në Viti” me kompaninë NNP “Kristal”.
Gjykata Themelore në Gjilan në shkurt të vitit 2015 kishte shpallur fajtor Daut Xhemajlin nga Vitia dhe e kishte dënuar me 1 vit e pesë muaj burgim./rajonipress/


