RCCOLA

Darka e kompromiseve

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit fillon në dhjetor. Serbia duhet të bëjë transparent financimin e strukturave të saj të paligjshme në Kosovë. Do të intensifikohen takimet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Në parim të dy vendet janë pro ndërtimit të autostradës Prishtinë-Nish. Për këto çështje u pajtuan Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Dacic, në darkën e shtruar nga Baronesha Ashton në Bruksel.

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic kanë bërë kompromiset e para, të mërkurën, në takimin e dytë që e kanë zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Shefes për Politikë të Jashtme, Chatherin Ashton.

Edhe pse nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument, të dy kryeministrat pas darkës së përbashkët që kanë pasur me Baroneshën, kanë folur për kompromise që janë arritur në zyrat e BE’së.

Ata kanë përmendur se janë pajtuar që në dhjetor të fillojë zbatimi i marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut teknik; të bëhet transparent financimi i strukturave paralele në Kosovë, të zbardhet fati i të pagjeturve si dhe kanë folur për mundësinë e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Nish, si vazhdimësi e rrugës Tiranë-Prishtinë.

Për këto tema ka folur edhe ndërmjetësja Baronesha Ashton, e cila ka thënë se palët janë pajtuar që të vazhdojë dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve.

Ndërkohë, pas takimit, Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se dhjetori do të jetë muaji i zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët.

“Ka një pajtueshmëri që të fillojë kah dhjetori implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, e në veçanti IBM’i. Të gjitha ekipet teknike që kanë punuar deri më tani, do të rrisin angazhimet e tyre që këto takime të japin rezultate”, ka thënë Thaci, në një deklaratë për televizionin publik.

Baronesha Ashton fillimisht ka takuar Thaçin e Dacicin ndaras, ndërsa në darkë kanë shkuar të tre bashkë.

Kryeministri Thaçi ka thënë se gjatë darkës është folur edhe për Veriun, duke thënë se atje situata duhet të ndryshojë me largimin e strukturave ilegale.

“Me rëndësi të jashtëzakonshëm ka qenë që e kemi diskutuar dhe jemi dakorduar për zhbërjen nën transparencën të plotë të mjeteve të Serbisë që deri më tani kanë mbajtur strukturat paralele dhe kriminale në Kosovë”, ka shtuar Thaçi të jetë marrë vesh me Dacicin.

Është paralajmëruar se takimi i radhës do të ndodhë në fillim të muajit dhjetor, disa ditë para se BE’ja të vendosë nëse Serbisë do t’i jepet data e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Union.

Për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë ka folur edhe Kryeministri Ivica Dacic. Ai ka thënë se pavarësisht zbatimit të dokumenteve me të cilat është pajtuar Serbia, qëndrimi ndaj statusit të Kosovës nuk ndryshon.

“Bisedimet e ndërmjetësuara nga Baronesha Ashton kanë qenë neutrale ndaj statusit. Janë gjetur disa modalitete që marrëveshjet që janë arritur më herët, të zbatohen”, ka thënë Dacic, për mediat serbe.

Shefi i Qeverisë serbe pohoi se janë pajtuar për dhjetorin e këtij viti që të nisin zbatimin e marrëveshjeve të arritura, duke përmendur edhe Veriun. Por, për këtë pjesë të Kosovës, Dacic ka thënë se Serbia ka disa dilema sa i përket shpërndarjes së të ardhurave.

Eco Higjiena

“Unë i thashë atij se ne nuk duhet t’i lëmë fëmijët tanë në luftë”, ka thënë Dacic.

Sipas fjalëve të Dacicit, Kryeministri Thaçi i ka premtuar atij se do të formojë një njësi policore me shumicë serbe për t’i ruajtur manastiret serbe.

Dacic ndër të tjera ka konfirmuar se është diskutuar edhe për projektet infrastrukturore Prishtinë-Nish.

“Ky ishte një takim i mirë dhe i dobishëm. Mendoj se ne kemi bërë disa hapa përpara”, ka deklaruar Dacic.

Edhe Kryeministri Thaçi ka folur për takim konstruktiv me Shefin e Qeverisë serbe.

“Ne do të jemi dy vende fqinje, punojmë dhe do të kemi edhe marrëdhënie normale”, ka thënë Thaçi.

Takimi i dytë Thaçi-Dacic vjen njëzet ditë pas takimit të parë të ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton.

Edhe të mërkurën, zyrtarja e BE’së, Ashton ka thënë se me dy mysafirët e ftuar në Bruksel është pajtuar që të vazhdohet normalizimi i raporteve Prishtinë-Beograd.

“Ne ramë dakord që të vazhdojmë dialogun për të gjitha marrëveshjet që janë arritur. Ne i mirëpresim rezultatet e përbashkëta të marrëveshjeve për integrimin e kufijve që u arritën më 5 dhe 6 nëntor të këtij viti”, ka shtuar Ashton.

Sipas kryediplomates evropiane, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë në disa fusha që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Ne gjithashtu diskutuam për transparencën e fondeve që shteti serb i siguron për komunitetin serb në Kosovë. Diskutuam për mbrojtjen e të gjithave monumenteve kulturore serbe dhe të dyja palët kanë rënë dakord që të kenë grupin teknik të përbashkët për implementimin e IBM’it”, ka shtuar ajo.

Megjithëkëtë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se normalizimi i raporteve me Serbinë do t’i dërgojë dy vendet në BE.

“Me implementim konkret në terren dhe këto pajtueshmëri besoj që në takimet e ardhshme do të kemi çështje të cilat do të ndërlidhen edhe drejtpërdrejt me angazhimet që çojnë drejt një normalizimi të plotë sipas standardeve europiane dhe marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Takimet mes zyrtarëve të Kosovës me ata të Serbisë kanë filluar në javën e tretë të tetorit, pas një rezolute të miratuar në Kuvendin e Kosovës, ku i jepet mbështetje Qeverisë që t’i normalizojë raportet me Serbinë.

Presion për t’u zhvilluar takimet e nivelit të lartë mes dy vendeve kanë bërë edhe Sekretarja amerikane, Hillary Clinton, gjatë vizitave që kishte në Prishtinë dhe Beograd.