ARKATANA

“Dardania”, 20 vjet në shërbim të kulturës shqiptare dhe integrimit

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Një ujëvarë ngjyrash të ndezura, të kostumeve të bukura kombëtare nga të gjitha trojet shqiptare të veshura nga vogëlushët e vogëlushet e lindur në Zvicër, shkrirë me tingujt e ëmbël të melosit shqiptar. E gjithë kjo në një ambient të ngrohtë me një publik të përbërë nga shqiptarë e zviceranë që kishin ardhur për të kremtuar bashkë 20 vjetorin e Shoqërisë Kulturore Artistike “Dardania” nga Winterthuri. Një histori jo e gjatë në kohë por e mbushur përplot me aktivitete, suksese, çmime të fituara, siç u tregua edhe në kolazhin filmik që u projektua para të pranishmeve.

Sigurisht këto aktivitete dhe suksese janë bërë të mundura falë punës me përkushtim dhe sakrificës së qindra të rinjve, fëmijëve po edhe të moshuarve që deri më tash kanë kaluar nëpër pragun e “Dardanisë” dhe në veçanti kryetarit të shoqatës, Shefqet Cakollit. Ai, bashkë me të shoqen, Selveten dhe fëmijët janë identifikuar që nga fillimi me çdo gjë që ka bërë “Dardania” në këto vite. Prandaj edhe barra e shënimit të përvjetorit ka rënduar në radhë të parë mbi supet e tij. Se këtë barrë e ka bartur dhe menaxhuar me sukses, u pa edhe në mbrëmjen e jubileut, që funksionoi në mënyrë pothuaj të përsosur.

Kryetarja e Asamblesë së qytetit: “Ju keni dy atdhe”

Për të nderuar këtë përvjetor përveç të ftuarve të tjerë, miq e dashamirës të “Dardanisë” kishin ardhur si në rrallë ndonjë manifestim shqiptarësh edhe përfaqësues të lartë të institucioneve të qytetit të Winterturit. Aty ishin dhe u desh të ngjiteshin disa herë në skenë kryetarja e Asamblesë (Parlamentit) të qytetit, Barbara Günthard Fitze dhe drejtori i drejtoratit për ndërtim Joseph Lissibach.

“Jam e entuziazmuar nga gjithë ky program i shkëlqyer që pamë sonte”, ka thënë kryeparlamentarja e Winterthrit. Ajo ka folur më tej për atë se çka quajmë atdhe, vendlindje. “Ju këtu, në Zvicër në vendin që ju është bërë atdheu i dytë, keni ardhur për shkak të punës, familjes, dashurisë. Është shumë mirë dhe ka rëndësi që i kultivoni traditat nga vendi ku i keni rrënjët. Kjo është mirë edhe për integrimin. Dhe sa më shumë që fëmijët tuaj do të lëshojnë rrënjë këtu, Zvicra do të bëhet edhe më shumë atdheu i juaj. Kjo shihet edhe me numrin e madh të huajve që tashmë kanë marrë pasaportat zvicerane”, ka thënë veç tjerash Günthard-Fitze.

Ndërsa përfaqësuesi i ekzekutivit të qytetit, Joseph Lissibach, një politikan shumë popullor në këtë qytet, ka lexuar një përshëndetje në gjuhën shqipe me ç`rast ka përgëzuar shoqërinë “Dardania” dhe komunitetin shqiptar të qytetit për përpjekjet e tyre për kultivimin e traditave të vendit nga vijnë dhe për integrimin në vendin ku jetojnë.

Konsujt përgëzojnë “Dardaninë”: “Jeni ambasadorët më të mirë të kulturës”

Nga ana shqiptare, në emrin e ambasadorit të Kosovës në Zvicër ka përshëndetur zëvendëskonsulli, Isa Kosumi. Ai e ka quajtur rrugën e “Dardanisë” nëpër vite 20 vjet sfida, nëpër kushte dhe rrethana jo të mira, duke e lidhur me rrethanat në të cilat ka qenë Kosova në vitet kur është themeluar shoqëria. Prandaj, duke i përballuar këto sfida, “Dardania” ka luajtur rolin e ambasadorit të kulturës shqiptare, të Kosovës atje ku është paraqitur duke përcjellë vlera. Edhe konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa ka përgëzuar anëtarët e Dardanisë, duke e cilësuar punën e tyre si punë amabsasdorësh të kulturës dhe të traditës shqiptare.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës, Shukrije Ramadani duke përshëndetur 20 vjetorin e “Dardanisë” ka nderuar çiftin Cakolli për misionin e kryer përgjatë këtyre viteve. Duke motivuar brezin e ri për të kultivuar kulturën dhe traditën shqiptare ata kanë ndihmuar edhe në integrimin e tyre në atdheun e tyre të dytë, në “Zvicrën e bukur”, siç është shprehur zonja Ramadani. Ajo u ka ndarë nga një dhuratë simbolike në emrin e Ministrisë së Diasporës Shefqet dhe Selvete Cakollit.

KKVITI

Në emrin e Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Kosovës, Sami Pirraj ka përshëndetur zyrtar i lartë i kësaj ministrie. Ai përveç përgëzimit drejtuar “Dardanisë” u ka dhuruar nga një dhuratë modeste dy përfaqësuesve të qytetit për kontributin e dhënë, gjegjësisht mbështetjen e shoqërisë “Dardania”.

Në programin shumë të pasur festiv, krahas përmbajtjeve tashmë të njohura të kësaj shoqërie pati edhe disa valle dhe këngë premierë. Ishte shumë mbresëlënëse edhe sjellja në skenë e riteve dhe lojërave popullore nga tradita jonë e vjetër. Ndërsa SHKA “Dardania” veçohet nga shoqëritë tjera edhe me orkestrën e saj folklorike me instrumente të vjetra të traditës, të cilës kësaj here i ishin bashkëngjitur edhe dy vogëlushë. Me ekzekutimin e tyre në çifteli dhe me këndimin e tyre ata fituan zemrat e publikut të pranishëm.

U promovua monografia e Dardanisë

Në këtë mbrëmje u bë edhe promovimi i monografisë së shoqatës, me titullin “Një hap i traditës kombëtare» – SHKA «Dardania, autor i së cilës është Shefqet Cakolli. Për të marrë pjesë në këtë promovim ishin ftuar edhe studiues folklori nga Prishtina si dhe recensentët e tij si prof. dr. Rexhep Munishi dhe prof Sami Pirraj. Por edhe këtu kishin dale pengesë vizat! Studiuesi i shquar, Munishi nuk kishte pasur mundësi të vinte.

Vështrime mbi librin kane lexuar Sami Pirraj dhe Visar Munishi. Ky i fundit ka kundruar librin nga këndvështrimi etnomuzikologjik. Me ketë rast e ka vlerësuar punën e kryetarit të shoqatës dhe autorit të monografisë, Sheqet Cakollit, sidomos për kultivimin e vlerave nga tradita e hershme kulturore që janë në prag të zhdukjes.

Gjatë mbrëmjes festive që zgjati rreth tri orë u ndanë edhe shumë çmime për të gjithë ata që në ndonjë mënyrë kanë kontribuuar për SHKA “Dardania” gjatë këtyre 20 viteve.

Mbarëvajtjes së programit që në momente po stërzgjatej, i kanë kontribuuar me sharmin dhe humorin e tyre moderatorët Ramadan Morina dhe Albulena Cakolli-Kçiku.

albinfo.ch