Daniel Serwer në UBT: Kosova ka shënuar transformim të madh historik
Në Kampusin Inovativ të UBT-së është mbajtur forumi akademik me temë diskutimi “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, i organizuar për nder të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë ngjarje mori pjesë profesori dhe analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, i cili u fokusua në zhvillimin e Kosovës, ndryshimet historike dhe rëndësinë e arsimit.
Në fillim të fjalës së tij, Serwer falënderoi stafin akademik dhe komunitetin e UBT-së për organizimin.
Duke reflektuar mbi ecurinë e Kosovës, ai theksoi se vendi ka shënuar progres të dukshëm ndër vite. “Kosova ka bërë një rrugë të gjatë,” u shpreh Serwer, duke kujtuar vitin 1998 kur kishte vizituar vendin për herë të parë, periudhë në të cilën përmendi takimet me Adem Demaçin dhe zhvillimet ku përfshihej edhe Albin Kurti.
Serwer përshkroi rrethanat e asaj kohe, kur të rinjtë shqiptarë detyroheshin të ndiqnin mësimet nëpër bodrume dhe shtëpi-shkolla private për shkak të masave të regjimit të atëhershëm.
Ai e krahasoi atë periudhë me infrastrukturën dhe gjendjen e sotme arsimore në vend.
“Disa thonë se asgjë nuk ka ndryshuar, por përgjigjja ime është: gjithçka ka ndryshuar,” deklaroi ai, duke iu referuar ndryshimeve institucionale dhe arsimore.
Në përmbyllje të fjalës së tij, profesori amerikan ndau me të pranishmit edhe një reflektim mbi sistemet politike dhe funksionimin e demokracisë në SHBA dhe në botë, duke nënvizuar se zhvillimet dhe ndryshimet historike janë procese të pakthyeshme.


