Dallime ndërmjet pozitës dhe opozitës rreth dhënies në shfrytëzim të pronës komunale

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e sotme, e cila është mbajtur nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar raportin financiar për periudhën janar-shtator 2019 si dhe është informuar rreth gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa pikat tjera të rendit të ditës i ka shtyrë për nesër, meqë opozita (PDK e VV) e ka lëshuar seancën dhe e ka pamundësuar vazhdimin e saj, për shkak të mospajtimeve rreth propozim-vendimit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, Qendrës socio-edukative “Don Bosko” në Gjilan.

Po ashtu, Kuvendi është marrë sot për herë të dytë edhe me shqetësimet e pronarëve të tokave në zonën e ish-kampit “Montith”, e cila është përfshirë në plan rregullues prej vitit 2013, me ç`rast kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini, ka thënë se ekzekutivi i Komunës do të ndërmarrë të gjitha angazhohet për të zgjidhur këtë problem sa më shpejt që është e mundur.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, duke u ndërlidhur me pyetjet e këshilltarëve komunalë rreth çështjeve konkrete, përfshirë edhe rastin e pronave në ish-kampin “Montith”, e ka vlerësuar të arsyeshëm dhe të dejtë reagimin e qytetarëve dhe ka premtuar se Komuna do t`i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje, e cila iu mundëson atyre t`i realizojnë të drejtat e veta sa i përket shfrytëzimit të pronave.

Sa i përket pyetjes rreth punësimeve në administratë, Ismajli ka sqaruar se bëhet fjalë për një projekt të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për angazhimin e 25 praktikantëve me pagesë, ndërkaq te disa punësime në sektorin arsimit, ai tha se fjala është për disa mësimdhënës të cilëve iu është marrë vendi i punës më herët dhe komuna është detyruar t`i mbajë me kontrata në vepër, derisa të gjendet një zgjidhje për ta.

Në lidhje me lokacionin për shtatoren e heroit Mulla Idriz Gjilani, nënkryetari Ismajli tha se ideja fillestare e Komunës ishte që shtatorja të vendoset pranë xhamisë së vogël, por duke i marrë parasysh shqetësimet e familjes dhe banorëve të fshatit Velekincë, me siguri se tani do të vendoset për një hapësirë tjetër brenda qendrës së qytetit.

Në pyetjet tjera të këshilltarëve komunalë, përgjigje kanë dhënë drejtorët Naser Korqa, Valbona Tahiri, Deniza Limani, Sali Fazliu, Nazim Gagica e Ramiz Ramadani.

Kurse sa i gjendjes së furnizimit me ujë të pijes, me të cilën Gjilani po përballet prej fillimit të verës, një informatë e ka paraqitur Muhamet Syliqi, drejtor i kompanisë “Hidromorava”, duke thënë se ishin të detyruar të zbatojmë një plan reduktimi, që është reflektuar edhe në aspektin financiar të kompanisë.

Mobi Casa

Syliqi nënvizoi faktin se kompania, së bashku me Komunën janë duke punuar për një zgjidhje të përkohshme të këtij problemi përmes disa puseve të cilat gjenden brenda lokacionit të FSK-së, ndërkohë që do të bëhet testimi i lokacionit për shpime të reja në lagjen Fidanishte, nëse arrihet një marrëveshje me AKP-në për pronën.

Do të vazhdohet me testime në lokacionin Banja dhe shpimet në këtë zonë do të bëhen nëse pamundësohet puna në lokacionin Fidanishte për shkak të pronësisë dhe nëse ekspertiza tregon se nuk rrezikohet burimi ekzistues.

Për këtë qëllim, Komuna, në bashkëpunim me “Hidromorava” kanë ndarë 200 mijë euro për hapjen e disa puseve të reja, në mënyrë që të zbutet sado pak gjendja, meqë qeveria nuk arriti ta miratojë ndihmën prej 460 mijë eurosh, shkaku i zgjedhjeve të parakohshme.
Injektimi i ujit nga puset në rrjetin e ujësjellësit do të ishte një zgjidhje e përkohshme e këtij problemi, me të cilin komuna e Gjilanit nuk po përballet për herë të parë, ka thënë Syliqi, duke nënvizuar faktin se për një zgjidhje afatgjatë, duhet orientuar te burimi në Grykën e LLapushnikut dhe te lokacioni i quajtur Shushët në Viti.

Opozita tha se është dashur të reagohet më herët për të gjetur zgjidhje alternative të furnizimit me ujë, meqë është ditur se Gjilani mund të përballet sërish me krizën e ujit.

Përndryshe, Kuvendi ka miratuar edhe raportin financiar për 9-mujorin e këtij viti. Zijadin Maliqi, drejtor për Financa u shpreh i kënaqur me të hyrat vetanake, të cilat janë realizuar në masën 90 për qind dy muaj para përfundimit të vitit, ndërkaq plani i tatimit në pronë, tashmë është përmbushur qind për qind.

Propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale Qendrës “Don Bosko”, i cili u cilësua i ngutshëm nga opozita dhe u bë shkas për braktisjen e seancës, sikundër edhe propozim-vendimi për rialokimin e mjeteve financiare, propozim-vendimi për caktimin e lokacioneve për shtatoret e Agim Ramadanit, Mulla Idriz Gjilanit dhe Abdullah Tahirit, propozim-vendimi për ndarjen e çmimit “Heroina e Qytetit” si dhe ai për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me komunën e Parteshit, për nevoja të ndërtimit të rrugës së Kumanovës, do të procedohen nesër, në vazhdimin të seancës së sotme.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit, largimin e opozitës nga seanca e cilësoi lojë politike./rajonipress/