UBT

Dalja nga bllokada në dorën e Presidentes, ose të ndërkombëtarëve

/ 3 minuta lexim

Daljen nga bllokada institucionale e krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, analistët e shohin në duart e Presidentes Atifete Jahjaga, ose në ndërhyrjen ndërkombëtare. Por, askush s’po vepron.

Sipas analistëve Presidentja mund t`i ftojë partitë politike për t`ua prezantuar një platformë me një afat të caktuar kohor. Jahjaga, sipas tyre, mund të nisë procedurat edhe rreth mandatarit të Qeverisë, pavarësisht se nuk është zgjedhur Kryetari i Kuvendit.

“Presidentja mund të paraqesë një platforme politike dhe tua prezantoj liderëve të partive politike në të cilën do të vendoseshin afatet kohore deri kur mund të zgjasë kjo bllokadë politike dhe në çfarë forme duhet zgjidhe kjo situate dhe ku palët duhet hequr dorë dhe deri ku mund të shkojë autonomia e tyre. Mendoj që presidentja nuk e ka ushtruar këtë autoritet të parë, duke ua bërë me dije partive deri kur mund të shkojnë me bllokada”, ka theksuar Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Por, a do të mund ta zgjidhë këtë situatë presidentja Jahjaga?

Opinionisti Artan Muhaxhiri thotë se Jahjaga nuk e ka legjitimitetin e votës për të zgjidhur këtë çështje. Sipas Muhaxhirit, zgjidhja mund të bëhet vetëm me intervenimin e ndërkombëtarëve.

“Ky ngërç është krijuar nga partitë politike, ose nga ndonjë instancë më e lartë se ta, ndërkaq Presidentes i mungon legjitimiteti votës. Vetëm ndërkombëtarët mund ta zgjidhin këtë çështje”, ka theksuar Muhaxhiri.

Analistët thonë se Presidentja Jahjaga mund të nisë procedurat rreth mandatarit të Qeverisë, pavarësisht se nuk është zgjedhur Kryetari i Kuvendit.

UBT

Korenica thotë se ligjërisht ekziston mundësia që Kuvendi të vazhdojë të funksionojë me kryesues të përkohshëm, ndërsa Presidentja të nisë procedurat për krijimin e Qeverisë.

“Presidentja është në fazën ku mund të emërojë mandatarin e parë dhe të dytë të qeverisë. Kuvendi është i obliguar t’i ofrojë votimin e qeverisë nëse brenda aftit nuk kemi qeveri atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse nuk ka zgjidhje në skenarin e parë”, ka theksuar Korenica.

Sipas Artan Muhaxhirit, Presidentja Jahjaga, duke bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mund edhe te hezitojë për të ndërhyrë në zgjidhjen e situatës.

“Përvoja e keqe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe problematikën që u bë pas atij vendimi mund ta bëjë Presidenten të jetë me rezervuar në ndërmarrjen e hapave ligjorë, sepse edhe ajo mund të rrezikojë të bëjë shkelje kushtetuese ose te jetë e kritikuar nga spektri politik”, është shprehur Muhaxhiri.

Situata do të mbetët edhe me tej e bllokuar nëse të dy taborët vazhdojnë me qëndrimet e njëjta. Ndërkohë vendi po hyn afër muajit të katërt që kur u zhvillua në zgjedhjet nacionale më 8 qershor.

Bashkimi Evropian vazhdon të insistojë se nuk e ka ndërmend të ndërhyjë në procesin e formimit të institucioneve shtetërore të Kosovës. Siç kanë deklaruar diplomatët evropianë, do të jetë e mirëpritur secila qeveri kosovare, e cila tregon se është e gatshme të vazhdojë procesin e dialogut./RTK/