RCCOLA

Dalja jashtë funksionit të bllokut A3, KEK: Inspektimi pritet të përfundojë në fund të muajit, menjëherë më pas fillon sanimi

/ 2 minuta lexim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se inspektimi i bllokut A3 të termocentralit “Kosova A” pritet të përfundojë më 31 gusht.

Sipas KEK-ut, menjëherë do të fillojë sanimi i kësaj njësie për kthim në funksion.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton se konform procedurave dhe praktikave inspektimi i njësisë A3 pritet të përfundojë më 31 gusht, 2022 dhe menjëherë do të fillon sanimi i kësaj njësie për kthim në punë”, njofton KEK, përcjell Telegrafi.

Kompania shton se është siguruar një sasi e energjisë për ta zëvendësuar mungesën e prodhimit nga A3.

“Përkundër mungesës së madhe të energjisë në treg, [për sot] kemi arritur të sigurojmë rreth 70 për qind të energjisë si zëvendësim të mungesës së prodhimit të planifikuar të njësisë A3”, përfundon korporata.

Fundamenti

Ndryshe, KEDS kishte njoftuar se do të ketë përkeqësim të situatës energjike në vend, pasi njësia A3 ka dalë nga funksioni. Sipas tyre, në vend aktualisht po prodhohen më pak se 400 megavatë rrymë më pak.

“Aktualisht kufizimet janë dy orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike. Përdorimi i saj në mënyrë eficiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër. Në këto rrethana të vështira, duhet të veprojmë të bashkuar në mënyrë që t’i kapërcejmë ato sa më. Së bashku mund t’i dalim”, thuhej në njoftimin e KEDS-it.

Nga 15 gushti, KEDS kishte filluar reduktimet e energjisë elektrike me nga 2 orë në ditë për çdo 6 orë.

Në fillim të këtij muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike. Sipas arsyetimit, ky vendim është marr nga gjendja aktuale botërore energjetike. Këto masa do të mbesin aktive për 60 ditë.

Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, qeveria kishte marr vendim për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike. /Telegrafi/