Daku: Vizitë e suksesshme në Kroaci

Gjilan – Një delegacion nga Kosova, i përberë nga bordi i RRZHRK (Rrjeti për zhvillim rural i Kosovës) dhe zyrtarë të lartë të MBPZHR (Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural) gjatë kësaj jave qëndroi në Kroaci. Në kuadër të këtij delegacioni ishte edhe Omer Daku si anëtar i bordit të rrjetit të zhvillimit rural të Kosovës, i cili njëherit është edhe kryetar i Grupit Lokal të Veprimit të Komunës së Gjilanit.
“Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i përvojave me RRZHR të Kroacisë, bashkëpunimi i tyre me GLV-te, sfidat e tyre gjatë gjithë procesit si dhe krijimi i mundësisë së bashkëpunimit në të ardhmen në mes të RRZHR të Kroacisë dhe Kosovës. Gjatë kësaj vizite, delegacioni pati takime të shumta në komuna të ndryshme, me kryetar të komunave, kryetar të rrjeteve të zhvillimit rural të Kroacisë, kryetar të GLV-ve të komunave të ndryshme si dhe zyrtar të lartë të kësaj fushe, por edhe vizitë bizneseve si dhe projekteve të implementuara”.
Daku tha se gjatë këtyre takimeve u shpreh vullneti nga dy rrjetet që të shikohet mundësia e realizimit të ndonjë projekti të përbashkët Kroaci – Kosovë nga BE-ja.
Daku falënderon edhe Ambasadoren tonë në Kroaci për mikpritjen nga ana e saj që i është bërë këtij delegacioni me ç`rast u diskutua për aktivitetet dhe zhvillimet e këtij delegacioni në Kroaci.
I pyetur se a është realizuar ndonjë projekt në Komunë të Gjilanit deri më tani, Omer Daku tha se GLV “Rural+” deri më tani ka realizuar një numër të konsiderueshëm të projekteve në Komunën e Gjilanit si: mbështetje me mekanizëm bujqësor, rrethoja të terreneve sportive, ndriçim, rrethoja të shkollave, rrugë, hapje të trasave, ura etj.
Po ashtu, sipas Dakut kanë qenë partner të një projekti nga Komisioni Evropian në vlerë prej 500.000 euro, por edhe përfitues të drejtpërdrejte të një projekti nga EURED i cili është në përfundim të implementimit të këtij projekti në vlerë prej 300.000 euro e që për synim ka krijimin e një qendre rajonale të marketingut etj./rajonipress/