Daku qeverisjes lokale: Anashkalimi i projekteve dhe strategjive të qeverisjes së kaluar godasin drejtpërdrejtë qytetarin!

Gjilan – Omer Daku ish drejtor i Urbanizmit dhe zv.kryetar i komunës së Gjilanit në një bisedë për rajonipress flet për neglizhencën dhe anashkalimin që po e bën qeverisja komunale, për mosangazhim të mjaftueshëm në hartim të strategjive. Daku gjithashtu nxit qeverisjen lokale për organizim dhe ballafaqim me opozitën dhe shoqërinë civile përmes debateve të drejtpërdrejta që do të ishin në interes të vet qeverisjes lokale dhe qytetarëve Gjilanas.
RajoniPress: Zoti Daku, dy mandate para kësaj qeverisje keni qenë pjesë e zhvillimit të shumë projekteve, fillimisht si drejtor i Urbanizmit e pastaj edhe katër vite si zv. Kryetar i Komunës së Gjilanit. Na thuani si po i shifni zhvillimet brenda komunës?
Daku: Zhgënjyese. Jemi ne vitin e tretë të kësaj qeverisje, dhe fushata sikur ende s`ka përfunduar. Sikur është bërë shprehi që në fjalorin tonë nuk mund të harrohet për asnjë moment “Ne” dhe ”Ata”, çdo projekt i kaluar të anashkalohet apo të “modifikohet” (pa zbatuar procedurat ligjore) për të marr “meritat” se këto janë projekte të kësaj qeverisje.
Gjilani është qytet me traditë, prandaj do të ishte mire që pozita me sinqeritet të ftoj opozitën të jetë sa më aktive dhe të jap kontributin e saj intelektual e profesional, por edhe kritikat eventuale t’i pranojë nga këndvështrimi pozitiv e jo si tendencioze. Kurse, opozita të vazhdojë të jetë edhe më aktive, monitoruese, por edhe e gatshme për të ofruar edhe alternativat profesionale (por, për këtë, qeverisja aktuale duhet krijuar mundësitë).
RajoniPress: Çka nënkupton krijimi i kushteve nga qeverisja lokale?
Daku: Vullneti, gatishmëria dhe guximi janë tri gjërat që duhet t’i reflektojë qeverisja lokale. Organizimi i debateve apo ballafaqimi i drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të qeverisjes lokale në njërën anë dhe përfaqësues të opozitës e shoqërisë civile nga ana tjetër do të ishte një shembull i mire dhe me interes për Gjilanin, sepse do të ngriste ne pah argumentet dhe kundërargumentet, përparësitë dhe dobësitë, ide të reja zhvillimore etj.
RajoniPress: z. Daku, a mund të fokusoni se cilat do të ishin temat me interes për Gjilanin?
Daku: Para se të caktojmë temat, mendoj se duhet të ngrisim disa shqetësime, dyshime, por edhe disa aktivitete të domosdoshme zhvillimore të kohës për të mos u bërë vonë nesër.
Natyrisht se kryeprioritet do të ishte zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, por kjo nuk mund të arrihet pa një strategji të mirëfilltë dhe shumë profesionale, por duke pas brenda saj edhe PPP (Partneritetin Publik Privat).
Një temë shumë me interes dhe e domosdoshme do të ishte ajo e drejtorisë së inspeksionit me rastin e shpërndarjes së saj nëpër disa drejtori (sidomos ajo e ndërtimit) sepse ka shumë çka të bisedohet rreth rrezikut të degradimit të theksuar edhe nëpër lagje të caktuara që rrezikohen nga ndërtimet kolektive pa leje. Me interes për Gjilanin do të ishte edhe përshpejtimi që të shenjëzohet unaza e qytetit bazuar në Planin Zhvillimor Urban, por edhe hapja e rrugëve alternative për të shkarkuar sa më shumë pjesën urbane.
Shqetësuese është se pse nuk po implementohen strategjitë e mobilitetit dhe ndriçimit publik, kur dihet se është bërë një punë mjaft e madhe dhe profesionale. Janë bërë matjet dhe janë të përcaktuara prioritetet rreth zgjidhjes së problemeve të udhëkryqeve – rrethrrotullimeve, por deri më tani nuk po vërejmë reflektim. Po ashtu, Kishim punuar kohë të gjatë, përgatitur dhe përfunduar të gjitha procedurat për transportin publik/urban, ku kishim arritur deri në fazën e tenderimit dhe besohej se kjo do të realizohej shumë shpejtë, por edhe pse ishte premtuar edhe nga kjo qeverisje se ky projekt do të realizohej (që vitin e parë), fatkeqësisht ende nuk po vërehet se ka lëvizje në këtë drejtim. Po ashtu janë edhe shumë çështje tjera që nuk guxojmë të vonohemi por do te ishin me interes për Gjilanin që të definohet qartë rasti i FSK, universiteti qytetit, pastaj dislokimi i varrezave të qytetit, ndërtimi i objektit të komunës, lumi “ Mirusha”, impianti për trajtimin e ujërave të zeza, ujërat atmosferik, parkingjet etj.
Po ashtu ka disa projekte te realizuara apo janë ne proces, për të cilat ka vend për shqetësime.
Janë disa projekte që para se të fillon implementimi i tyre duhet domosdo të realizohen shumë aktivitete paraprake duke përfshirë edhe vet komunitetin si dhe aprovimi i tyre ne asamble komunale (këto janë edhe obligime ligjore). Apo edhe nëse vlerësohet për ndryshim eventual të ndonjë projekti të aprovuar ne kuvend paraprakisht, atëherë duhet përfillur përsëri të gjitha procedurat. Një projekt tani më i freskët është ai në lagjen e Dardanisë (ish hapësirë e lire) që lë shumë për të diskutuar./rajonipress/