RCCOLA

Daka: OSBE-ja do të ketë rolin e postierit në veri

/ 3 minuta lexim

Prishtinë – KQZ-ja nuk ka qasje në veri dhe për atë arsye është kërkuar ndihma e OSBE-së, e cila do të luajë rolin e ndërmjetësit dhe fizikisht do t’i kryejë disa veprime, të cilat ne, si KQZ, nuk kemi pasur mundësi deri më tani t’i kryejmë në atë pjesë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka.“Në veri, aty ku ne fizikisht nuk mundemi të jemi, do të jetë OSBE-ja. Dhe, këtë mandat e ka duke u nisur nga marrëveshja e parë dhe nga konkluzionet që janë arritur në Bruksel. Pra, OSBE-ja, aty ku KQZ-ja nuk mund të jetë fizikisht, në shumicën e rasteve do ta luajë rolin e postierit, sikundër edhe për pjesën e votimit jashtë Kosovës”, tha ajo.

Duke u përgjigjur në pyetjen rreth stopimit të fletëvotimeve jashtë vendit, kryetarja e KQZ-së u përgjigj se “kjo zhurmë është çuar nga mediat”. “Kjo zhurmë u ngrit pa nevojë duke prejudikuar çështjen, sepse fletëvotimi është i përcaktuar me ligj edhe përmbajtja e fletëvotimeve ende nuk është përcaktuar. Kështu që, unë nuk shoh kurrfarë pengese në këtë drejtim dhe nuk e shoh si çështje”.

Sa i përket qëndrimit të saj në Bruksel me grupet punuese për të diskutuar për zgjedhjet e 3 nëntorit, Daka tha se në Bruksel është biseduar për votimin jashtë Kosovës dhe për ofrimin e mundësisë të gjithë qytetarëve që janë jashtë Kosovës dhe që kanë të drejtë vote, të votojnë, pasi që ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka marrëveshje sa i takon postës dhe se nuk ekziston shkëmbimi i shërbimeve postare.

UBT

“Është vendosur dhe në të vërtetë është arritur marrëveshja që, në kuadër të marrëveshjes ekzistuese dhe në kuadër të asaj që është arritur në Bruksel, votimi jashtë Kosovës të bëhet konform dispozitave të Ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme. Është diskutuar t’i jepet një rol OSBE-së, e ai rol është faktikisht grumbullimi i votave në një pikë qendrore, në të cilën do të sillen votat nga qytetarët, që kanë të drejtë vote, të cilat pastaj do të sillen në KQZ”.

“Personat që nuk janë banorë të Kosovës e që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi që të aplikojnë së pari për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, të cilat aplikacione do t’i mbledhë OSBE-ja dhe do t’i sjellë në KQZ. Do të verifikohen, pas verifikimit, ata që i plotësojnë kushtet të jenë votues jashtë Kosovës, do t’ju kthehen ato regjistrime së bashku me pakot e votimit. Pakoja e votimit nënkupton zarfin e fshehtësisë dhe fletëvotimin, dhe pasi që të votojnë, do t’i sjellin përsëri tek OSBE-ja, e cila do t’i sjell në KQZ”, tha Valdete Daka duke u përgjigjur në pyetjen se si do të votojnë personat jashtë Kosovës.

Në fund ajo tha se fletëvotimi do të jetë konform dispozitave ligjore të ligjeve që janë në fuqi në Kosovë. Sipas saj, me siguri që do të ketë simbole të shtetit të Kosovës, ashtu siç parashihet me ligjet që janë në fuqi.