Daka: KQZ-ja do të organizojë zgjedhje kurdo që ato thirren nga presidenti
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se standardet e zgjedhjeve i minon mungesa e besimit tek ata që i organizojnë. Daka ka thënë se më shumë se ndryshimi i ligjit zgjedhor ka rëndësi zbatimi i tij si dhe sjellja e partive në zgjedhje. “Ligjin mund ta ndryshojmë çdo ditë, por jo vetëdijen e njerëzve apo të partive politike”, ka thënë Daka.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Daka ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën Drenas si dhe deklaratat politike të partive për zgjedhje të parakohshme.
Kryetarja e KQZ-së thotë se institucioni që drejton është i detyruar të zhvillojë zgjedhje kurdo që ato të thirren nga presidenti i republikës.
Ndërkohë ka kujtuar ndikimin potencial që mund të ketë në cilësinë e zgjedhjeve afatet e ngushta kohore për përgatitjen e tyre. Kryetarja e KQZ-së ishte në Uashington DC në kuadër të programit zgjedhor të SHBA.


