Fundamenti

Daka: Hapen të gjitha vendvotimet pa probleme

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë për media ku ka konfirmuar se janë hapur të gjitha vendvotimet me kohë dhe nuk ka pasur probleme.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se në bazë të raporteve të udhëheqësve të Komisioneve Komunale Zgjedhore, deri në orën shtatë janë hapur të gjitha qendrat e votimit dhe nuk ka pasur probleme në shtyrjen e hapjes së tyre.

Sot votohet në balotazh për kryetar komunash

Në 25 komuna të Kosovës sot rreth 1 milion e 40 mijë votues për të dytën herë do të votojnë për kryetarin,i cili do të ketë mandate katër vjeçar.

Janë 50 kandidatë për kryetar që presin votat e qytetarëve, madje një pjesë e madhe e tyre pret rritje të votave edhe pas koalicioneve që janë bërë, koalicione këto të cilat sipas analistëve politikë, në shumicën e rasteve votuesit e ndonjë subjekti politik, kurrë nuk janë bindur që të votojnë kandidatin e ndonjë partie tjetër, që garon në balotazh.

Ndërkohë, të gjitha organet dhe instancat përgjegjëse janë shprehur të gatshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhje tashmë ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të raundit të dytë në 25 komuna. Votime do të ketë edhe në Zveçan, ku do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime.

Presidentja Atifete Jahjaga tha sot se gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit institucionet e drejtësisë u treguan efikase dhe të mobilizuara për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

“Ligji do të garantohet në rast të cenimit të votës së lirë dhe askush nuk do të amnistohet për shkelje të së drejtës elementare të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Zgjedhjet e 1 dhjetorit duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë. Duhet të dëshmojmë integrimin e secilit qytetarë në shoqërinë dhe institucionet e vendit dhe të atyre të komunitetit serb në veri të territorit të Republikës së Kosovës dhe kjo do të përmbyll një kapitull të kundërshtimeve mes nesh duke i ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe duke hapur perspektivën e integrimeve evropiane. Nesër është testi përfundimtarë dhe ne duhet ta kalojmë atë”, është shprehur ajo.

Mobi Casa

Jahjaga tha se pjesa tjetër e testit ka mbetur që të dëshmohet në votimet e balotazhit më 1 dhjetor.

Policia e Kosovës ka angazhuar 5.100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Balotazhi do të mbahet më 1 dhjetor edhe në Mitrovicën e veriut, ndërkaq në Zveçan do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime. Për shkak të rrethanave specifike në atë pjesë, Policia e Kosovës do të bashkërendojë masat dhe veprimet me EULEX-in dhe KFOR-in.

Ngjashëm me votimet e 3 nëntorit, edhe në balotazh ku janë përfshirë 50 kandidatë në garën për 25 vende për kryetar të komunave të Kosovës, i gjithë procesi do të monitorohet dhe vëzhgohet nga afër nga organizata vendase e ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian ditën e zgjedhjeve do të ketë 71 vëzhgues.

Një numër të caktuar vëzhguesish do të kenë edhe ENEMO dhe organizata tjera ndërkombëtare. Kurse, me mbi 1600 vëzhgues do t’i përcjellë votimet edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

Po ashtu, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur do të vazhdojë me fushatën Voto dhe Vezhgo, ku qytetarët do të kenë mundësinë të lajmërojnë të gjitha pa rregullsitë që shohin duke dërguar sms në numrin falas 500 88.

Numri i votuesve të regjistruar për të marrë pjesë në raundin e dytë është mbi 1 milion e 370 mijë votues./Kosovapress/