ARKATANA

Dafina Zeqiri ndjek ritmin e stinëve

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

E njëjta Dafinë, por me ndjenjë tjetër. U shfaq si një performuese pasionante në baladën e saj më të re, si për t’iu përshtatur melankolisë që ndiejnë të gjithë në vjeshtë. Por Dafina Zeqiri ndjek ritmin e stinëve edhe për prezantimet e saj artistike. Kështu, pas një seti të nxhehtë fotografish në verë, tani vjen si imazh i veshjeve të stilistes së saj personale. Për trupin, zhveshjen, shpirtin dhe ndjenjat e saj, këngëtarja kosovare flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”, duke na zbuluar pak më shumë nga personaliteti i saj jashtë muzikës.

Të shohim si imazh të veshjeve të stilistes personale Lia. Ti vetë si mund ta përshkruash ndjesinë që të japin veshjet e duhura në trupin tënd?
Ka vite që bashkëpunoj me Lia Stubllën, e ajo, përveçse është një stiliste e përkryer, është edhe një nga mikeshat më të mira që kam pasur ndonjëherë. Thjesht na përshtatet puna dhe bashkëpunojmë për të sjellë gjëra të bukura si nga ana e saj, ashtu dhe nga ana ime. Veshjet shfaqin edhe një personalitet më vete. Ato thjesht tregojnë karakterin e njeriut dhe besoj që secili në këtë kohë mundohet të duket sa më bukur.

Po ashtu të kemi parë dhe zhveshur në një set të fundit fotografish mjaft të komentuara. Mund ta ndash me ne ndjesinë që të jep dalja para publikut vetëm me lëkurën tënde?
Ne të gjithë kemi lindur me lëkurë. Ndjesinë që të jep lëkura nuk e përshkruan dot kurrë. Mendoj se është mënyra më e mirë se si të zhvishemi nga maskat, që i kemi gjatë gjithë jetës.

Jeta jote është e bukur si në përralla apo është një fushë me shumë beteja? Për çfarë lufton ti në jetë?
Jeta është thjesht një betejë dhe sfidë, që secili prej nesh duhet të përballet me luftëra të ndryshme. Dafina si gjithë të tjerët lufton për një jetë më të mirë, lufton që t’u ofrojë muzikë më të mirë fansave, të cilët e mbështesin prej shumë vitesh. Dua të sjell muzikë, me të cilën një ditë do të krenohen edhe ata që më mbështesin, edhe unë bashkë me ta.

Natyrisht që fama ka shkallë e shkallë. Ti deri ku synon të arrish në karrierë?
Karriera e vërtetë që nuk ka fund asnjëherë. Unë dua të arrij deri në majat, që nuk i ka kapur dot njeri deri më tani.

Sapo ke publikuar klipin “Ndjenjë tjetër”, ku bashkë me interpretimin e ndjerë bën dhe akrobaci. Sa kohë të duhet zakonisht për të realizuar një klip?
Projekti “Ndjenjë tjetër” është punuar gjatë në kohë, me një përkushtim të madh e me bashkëpunëtorë të dëshmuar. E them këtë kushtimisht e jo si “demode”, sepse e dimë tashmë që është bërë “trend” fjala përkushtim. Por sinqerisht unë kam kohë që mundohem të sjell vetëm produkte kualitative, dhe klipi “Ndjenjë tjetër” është pritur shumë mirë nga fansat. Madje, mund të them se ka pasur komente pozitive edhe nga kritikë të muzikës.

Eco Higjiena

Duke iu referuar këngës, nënkuptojmë një fillim të ri në jetën sentimentale. Për momentin je duke provuar ndjenjë të re me person të njëjtë apo ndjenjë tjetër me person të ri?
Jo, gjithmonë projektet e mia shfaqin gjendjen time sentimentale. Mediat kapen pas asaj se një këngëtar në projektet e tij shfaq atë që ndien. Në fakt jo, ju them se realisht ndodh edhe e kundërta.

Si do e komentoje personalitetin tënd artistik në këtë konkurrencë shpesh plot tension mes femrave?
Konkurrenca është një gjë e shëndoshë, jo vetëm në muzikë, por në çdo biznes. Sa më e lartë të jetë, aq më produkte kualitative nxjerr në treg.

Je vërtet këngëtarja më e paguar e koncerteve?
Pagesa është çështje private që nuk i tregohet gjithkujt, paguhem aq sa punoj dhe meritoj. Në këtë treg, që është i stërngarkuar, ndihem si një vullkan, që po shpërthen çdo ditë e më shumë.

Ti komentohesh gjithashtu për linjat perfekte. Si ia bën për të mbajtur peshë konstante nga klipi në klip, edhe pse ke jetë në lëvizje?
Linjat thuajse i kam të trashëguara. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me peshën. Sado shumë ushqim që konsumoj, nuk shtoj kilogramë për të pasur problem fizikun tim. Kam një metabolizëm të shkëlqyer dhe ndihem me fat për këtë. Por femra gjithmonë duhet të bëjë kujdes për trupin e saj dhe kjo duhet marrë si këshillë. Personalisht nuk preferoj dietat, të cilat mund të jenë edhe të dëmshme për trupin e njeriut. Madje kam dëgjuar se janë dhe ndikojnë negativisht. Mjafton të bëhet disi kujdes në ushqim (flas këtu edhe për ata që shtojnë shumë kilogramë), por duke mos lënë mënjanë fitnesin, të cilin e praktikoj jashtë mase.

Së jashtmi dukesh bukur, po brendinë tënde a mund të na e zbulosh? Je një shpirt i trazuar apo oaz paqeje edhe për të tjerët?
Shpirti im për momentin është plot dashuri për ata që dinë të dhurojnë dashuri, dhe një oaz paqeje, i cili nuk është trazuar asnjëherë.