Hidromorava

Daci: Koalicionin me AAK nuk e bëra vet

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Vendimin për koalicion me AAK’në nuk e kam marrë krye në vete. Vetëm tre anëtarë të Kryesisë kanë kundërshtuar, dhe për këtë ekzistojnë incizimet. Besa Gaxherri ka ndoshta probleme me memorien. Kush do që të më sfidojë, mund ta bëjë në konventën e partisë. Lideri i LDD’së Nexhat Daci flet për Express.

Kryetari i LDD’së, Nexhat Daci ka mohuar se e ka marrë krye në veti vendimin për koalicionin me AAK’në e Ramush Haradinajt.

Kështu ai ka reaguar ndaj Nënkryetares Besa Gaxherri, e cila ka thënë se Daci ka shkelur parimet demokratike duke marrë i vetëm vendimin për koalicionin me AAK’në.

Në një bisedë për Express, Daci tha se ekziston incizimi i mbledhjes së Kryesisë, në të cilin vërtetohet se vetëm tre persona kanë kundërshtuar koalicionin.

“Dhe kjo duhet të dokumentohet, është e incizuar mbledhja, ku kanë diskutuar gati e tërë kryesia dhe vetëm e vetëm tre veta janë deklaruar që janë kundër koalicionit me AAK’në”, tha ai.

“Prandaj unë e them që dikush me qëllim memorien e ka zvogëluar ose ka telashe me memorien”, ka shtuar lideri i LDD’së.

Gaxherri është shfaqur e pakënaqur edhe rreth mënyrës se si është bër politika në LDD, për çka tha se është e gatshme të përballet edhe me vetë liderin e saj.

“Po unë besoj që për këtë kurajo duhet të përgëzohet”, është përgjigjur Daci.

Fundamenti

Por, ai ia ka kujtuar Gaxherit se këtë mund ta bëjë vetëm në konventën e partisë.

“Ose e ka memorien e shkurtër ose nuk e di se konventa e zgjedhë kryetarin. E kryetari e propozon listën e kandidatëve për Këshill Kombëtar dhe nëse aprovohet nga konventa Këshilli Kombëtar e propozon Kryesinë. Do të thotë në asnjë mënyrë nuk ka mundësi statutare, rregullative dhe ligjore me e sfidu dikë para se të vijë koha. Por vullneti është i lirë i gjithkujt dhe mendoj që ajo paraqet begati nuk ka ndonjë gjë të keqe, nuk shoh diçka të keqe”, shpjegoi ai.

Daci madje tha se ka të drejtë edhe të shkarkojë Gaxherrin por se këtë nuk e ka ndërmend ta bëjë.

Sipas tij ata të cilët nuk e përkrahin politikën e LDD’së janë vetë duke u bërë gati për t’u larguar. “Ata automatikisht tentojnë që me çdo kusht të dalin prej asaj organizate politike”, ishte përgjigja e të parit të LDD’së.

Daci tha se është i vetëdijshëm që anëtarët e LDD’së më me qejf do të bënin koalicion me LDK’në.

“Ne 16- 17 vjet kemi rrugëtuar me LDK’në dhe ka qenë një dëshirë por ata e kanë mbyll derën me faktin që nuk kanë dashtë fare që të figurojë LDD’ja si pjesë e koalicionit me akronimin e saj”, tha Lideri i LDD’së.

Ai u shpreh i bindur për fitore në zgjedhjet e ardhshme me partnerin aktual AAK. Brenda këtij koalicioni tha se do të jetë edhe një parti por pa precizuar cila.

“Është shumë herët me folë se rrugët po ndryshojnë, por tri parti do të jenë gjithsesi në këtë rrugëtim të konstruktuar. Dhe mendoj që po largohet LDK’ja me konceptin e vet. Koncepti është i tyre dhe rrugë të mbarë gjithkujt edhe neve edhe atyre”.