Hidromorava

Daci: Heqja e logos s’e dëmton Kosovën

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, ka thënë se Kosova nuk është dëmtuar me heqjen e logos nga fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

“Teorikisht po them se nuk është dashur të hiqet, por praktikisht duhet mbështetur. E kam mbështetur procesin në Bruksel. E mbështes edhe zbatimin e marrëveshjeve. Në kuadër të kësaj është edhe mbajtja e zgjedhjeve”, ka thënë Daci, duke shtuar se në fund të këtij procesi Kosova do të fitojë. “Është një realitet, i cili në instancën e fundit i ndihmon qytetarët e Kosovës dhe e ndihmon shtrirjen e shtetit dhe të pushtetit në tërë territorin”, ka deklaruar Daci në një intervistën për “Epokën e re”.

Pavarësisht heqjes së logos, Daci nuk është optimist se serbët do të dalin në zgjedhje. “Nuk ma merr mendja. Por, nëse do të ndodhë kjo, atëherë do të jetë një përqindje shumë e vogël”, ka theksuar Daci. Mirëpo, sipas Dacit, rreziku më i madh është te mosdalja e përgjithshme e qytetarëve në zgjedhje, për shkak të humbjes së besimit në qeverisje. “E kemi këtë gjendje të keqe sepse, siç duket, të gjithë ne kemi punuar keq në Kosovë. Të gjitha mandatet kanë punuar keq dhe populli është bindur se ne nuk po punojmë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, por po punojmë për grupe mafioze dhe klane. Prandaj qytetarët nuk kanë motiv të dalin në zgjedhje”, ka thënë ai.

Mobi Casa

Daci pret rezultat pozitiv nga zgjedhjet e 3 nëntorit për koalicionin AAK – LDD. Ndërkohë, duke folur për garën në kryeqytet, ai ka vlerësuar se fitorja për Prishtinën nuk do të mund të arrihet pa balotazh.

“Kësaj radhe është e vështirë fitorja në rundin e parë e ndonjë kandidati. Jam i kënaqur me kandidatët që kanë dalë për kryetar të Komunës së Prishtinës. LDK-ja e ka pasur gjithmonë Prishtinën dhe ka përvojë. Por, mendoj se asnjëherë më parë nuk ka qenë në pozitë më të vështirë sesa që është sot”, ka deklaruar Daci. /Indeksonline/