Fundamenti

Cramon për zgjerimin e BE-së: I kemi borxh Kosovës dhe partnerëve të tjerë të ecim përpara, jo me premtime boshe

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se zgjerimi i BE-së mund të jetë përsëri në agjendë, por thekson se BE duhet të bëjë më mirë për të siguruar që premtimet të mos jenë boshe.

Në një shkrim në Twitter, Cramon tha se BE i ka borxh Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe partnerëve tanë të tjerë që më në fund të ecet përpara në procesin tonë të zgjerimit.

“Zgjerimi i BE-së mund të jetë përsëri në agjendë, por BE duhet të bëjë më mirë për të siguruar që premtimet tona të mos jenë boshe! I kemi borxh Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe partnerëve tanë të tjerë që më në fund të ecim përpara në procesin tonë të zgjerimit”, tha Cramon.

Ndërkaq, duhet theksuar se zgjerimi i BE-së nuk është më proces aq i popullarizuar në BE, edhe pse ai vazhdon me synimin që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor një ditë të bëhen anëtare.

Përderisa në rastin e zgjerimit të madh procesi shihej si një “prioritet politikë me synimin e bashkimit të Evropës dikur të ndarë në baza ideologjike”, tash procesi është shumë më i ngadalshëm dhe me shumë kushtëzime.

Në këtë moment pesë shtete kanë statusin e kandidatit. Turqia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Praktikisht, vetëm Mali i Zi dhe Serbia janë duke vazhduar procesin e negociatave të anëtarësimit.

Eco Higjiena

Negociatat me Turqinë, të nisura me 4 tetor të vitit 2005, të njëjtën ditë kur nisën edhe me Kroacinë, praktikisht janë të ngrira për vite.

Mali i Zi dhe Serbia hapin dhe mbyllin kapituj, por me një dinamikë shumë të ngadaltë.

Me 19 korrik 2022, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bosnja e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim, por nuk ka marrë opinion pozitiv të Komisionit Evropian për status kandidati.

Kosova nuk ka aplikuar ende për anëtarësim dhe ka paralajmëruar se këtë do ta bëjë gjatë këtij viti. Pengesë për Kosovën mund të jetë fakti se nuk është njohur si shtet nga pesë vende anëtare të BE-së.

Para agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë aplikuar për anëtarësim në BE./Telegrafi/