UBT

Cramon për dinarin: Vendimi është legjitim, por ka munguar komunikimi sepse duhej një periudhë tranzicioni

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Diplomatët e huaj thonë se është në të drejtën e Kosovës që ta ndalojë dinarin serb, megjithëse rruga e duhur do të ishte komunikimi.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore te Kosovës, e cila parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në vend të jetë euroja, ka nxitur reagime të mëdha në opinionin publik brenda dhe jashtë vendit.

Ky vendim nuk është pritur mirë brenda komunitet serb në Kosovë, për shkak se një pjesë e tyre marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë.

Për këtë çështje kanë reaguar ashpër edhe shtetet aleate, të cilat po kërkojnë që ky vendim të shtyhet për një kohë.

Por diplomati holandez, Robert Bosch, thotë se Kosova është në të drejtën e saj, dhe se ky vendim është marrë në kohën e duhur.

Fundamenti

“Të them një gjë në fillim, Kosova është vend i pavarur. Sigurisht, e di që Serbia nuk e njeh këtë, dhe kjo s’mund të ndodhë përderisa Serbia vazhdon e vazhdon të ketë struktura ilegale në vendin tuaj. Pra, kemi pasur të ashtuquajturat negociata për normalizimin e marrëdhënieve, por këto nuk po sjellin rezultatet, sepse nën një, Serbia vazhdon të ketë struktura ilegale në vend. Sigurisht, mendoj që është koha e duhur që dikur të ndalohet kjo, kemi pritur për 15 vite, 17 vite që ata të ndalojnë këtë, por akoma vazhdon dhe në mënyrë aktive. Dëgjova ato që tha rektori i Universitetit në Mitrovicën Veriore, ashtu quhej, mendoj. Ai flet budallallëqe, thotë që duhet të mbyllim gjithçka, nuk mund të paguajmë rroga, asgjë, kjo është në kundërshtim me Serbinë. Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë, ai mund ta hapë një llogari bankare, llogari normale në bankë të sistemit bankar të Kosovës, dhe serbët nga Serbia mund të transferojnë paratë në atë llogari”, tha diplomati Robert Bosch.

Si të drejtë këtë vendim e vlerëson edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, megjithëse ajo thotë se për këtë çështje duhet të kishte më shumë komunikim.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, euro është valuta e vetme në Republikën e Kosovës. Pra, në parim, vendimi për përdorimin e dinarit apo të ndonjë monedhe tjetër është absolutisht legjitim dhe nuk duhet kritikuar. Ai duhet të synojë të sigurojë kontrolle të duhura financiare për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, etj. Megjithatë, vendimi aktual për ndalimin e dinarit serb erdhi shumë papritur. Ajo që duhej nga këndvështrimi ynë është komunikimi i duhur, më shumë informacion dhe një periudhë tranzicioni. Në të vërtetë, disa çështje duhet të zgjidhen përpara hyrjes në fuqi të ndalimit, të cilat nga këndvështrimi im duket se nuk janë zgjidhur ende, kështu që vendet e QUINT-it kanë kërkuar ndalimin e zbatimit të vendimit për të lejuar këtë punë të kryhet”, u shpreh eurodeputetja, Viola Von Cramon.

Në anën tjetër, shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm që të adresojë çdo shqetësim të ngritur lidhur me çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë.