Fundamenti

“Cottbus” hap rrugët ndërkombëtare për “Tri dritare dhe një varje”

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Prishtinë – Projekti filmik, i cili trajton pasojat e luftës nga një tjetër këndvështrim, ka fituar çmim në një festival ende pa nisur xhirimet. “Tri dritare dhe një varje” me regji të Isa Qosjes është nderuar mbrëmjen e së enjtes me çmimin “Best Pitch” në Festivalin e Filmit “Cottbus”, raporton “Koha Ditore”.

Edicioni i 14-të i “Pitching Projects” që është një market kooproduksionesh në kuadër të Festivalit të Filmit “Cottbus”, përfshin forume dhe prezantime të projekteve të ndryshme filmike. Më shumë se 150 kineastë kanë qenë pjesë e këtij “tregu” që koncentrohet në kinematografinë e Evropës Lindore dhe Perëndimore.

Sivjet në këtë program janë prezantuar 13 projekte nga 12 vende të ndryshme. Projektet vlerësohen nga një juri e përbërë nga njerëz të filmit nga e gjithë Evropa. Për vetë regjisorin Qosja ky çmim i hap rrugën ndërkombëtar projektit të tij filmik.

“Prezantimi, por edhe marrja e këtij çmimi hap rrugë për kooproduksionet e huaja”, ka thënë Qosja, gjysmë ore pasi ka marrë çmimin. “Kanë qenë 12 projekte të cilat janë konsideruar favorite, por fitoi yni e që është diçka shumë e mirë”, ka shtuar regjisori i njohur për filmin “Kukumi”. Me këtë çmim, projekti filmik i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës fiton të drejtën e prezantimit të mëtutjeshëm të këtij projekti jo vetëm në këtë festival, por edhe në disa të tjerë.

RCCOLA

“Konkurrenca ka qenë e fortë dhe mendoj se ky çmim arsyeton vendimin e Qendrës Kinematografike për ta zgjedhur ‘Tri dritare…’ si projekt fitues”, ka thënë Qosja.

QKK-ja e kishte mbështetur këtë projekt filmik me 250 mijë euro në konkursin për subvencionim të vitit të kaluar.

Regjisori ka thënë se ky çmim është një mbështetje e madhe sa i përket fushës së produksionit. “Është mbështetje simbolike, por me rëndësi të madhe”, ka thënë regjisori. Nga Berlini, Qosja ka paralajmëruar se xhirimet e filmit me skenar të Zymber Kelmendit, do të nisin shumë shpejt. “Tash kemi bërë edhe producent ndërkombëtar kështu që jemi gati”, ka thënë Qosja. Nicole Gerhard, Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala janë renditur si producentë filmikë në tabelën zyrtare të projekteve filmike që kanë marrë pjesë në “Connecting Cottbus”. Përpos projektit filmik nga Kosova në këtë program kanë marrë pjesë projekte nga vende të ndryshme si Gjeorgjia, Hungaria, Lituania, Maqedonia, Poloni, Rusia, Britania e shumë vende të tjera.

“’Tri dritare dhe një varje;” nga Kosova prezanton një perspektivë të re. Regjisori Isa Qosja, është i njohur për imazhet alegorike tek hedh dritë kritike mbi burrërinë në Ballkanin e pasluftërave”, shkruhet në prezantimin që festivali i ka bërë filmit të Qosjes. Projekti filmik “Tri dritare dhe një varje” do të xhirohet nga shtëpitë filmike “CMB” dhe “ISSTRA”. Skenari i projektit filmik “Tri dritare dhe një varje” ka qenë i njëjti i realizuar në një film të shkurtër nën regji të Faton Bajraktarit. “Kemi bërë disa ndryshime në skenar. E kemi diskutuar me skenaristin në mënyra të ndryshme dhe kemi folur për shumë detaje. Tashmë skenari është i përfunduar”, ka thënë Qosja. (koha)