Mobi Casa

Çollaku për mediat gjermane: Kosova ka përmbushur kriteret për viza

/ 15 minuta lexim

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, është intervistuar nga gazeta gjermane “Handelsblatt” lidhur me migrimin dhe perspektivën evropiane të Kosovës së bashku me një të ri nga Kosova që kishte migruar ilegalisht në Gjermani për t’u kthyer pas pak muajsh në Kosovë. Intervista është zhvilluar në formë të dialogut në mes të ministrit dhe qytetarit, Granit Azemi (27).

Ministri ka shpjeguar për hapat e vendosur që ka ndërmarrë Qeveria e vendit në drejtim të parandalimit të migrimit të pa rregullt dhe në riintegrimin e personave të riatdhesuar.

Po ashtu ministri ka nënvizuar nevojën për angazhim të shtuar në nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Zotëri Azemi, ju keni jetuar gjysmë viti si azilkërkues në Bonn. Pse jeni kthyer në Kosovë, duke e ditur gjendjen e rëndë ekonomike, e cila mbizotëron këtu?

Në Gjermani nuk kisha me çfarë të merrem. Gjithashtu u binda, se në Gjermani është shumë e vështirë të pranosh azil. Për këtë arsye u detyrova të kthehem në Kosovë.

Përjetimi i zotëri Azemit nuk paraqet ndonjë përjashtim. Azilkërkuesit nga Kosova nuk kanë pothuajse asnjë shans të pranojnë azil në Gjermani. Prandaj shtrohet pyetja, pse megjithatë një numër kaq i madh i kosovarëve marrin rrugën për Gjermani?

Çollaku: Ekzistojnë dy arsye kryesore. Faktori shtytës është gjendja sociale në vend. Faktor tërheqës paraqesin kushtet e mira për refugjatët në Gjermani dhe vendet tjera të BE-së.

Në dimrin e kaluar papritmas ndodhi një eksod në masë i njerëzve. Dhjetëra-mijëra kosovarë në mënyrë ilegale ia kthyen shpinën vendit të tyre …

Çollaku: Shpjegimi për këtë është se, qytetarët tanë kanë mundësi që vetëm me letërnjoftim të dalin pa pengesë ne Serbi. Një biletë e thjeshtë nga Prishtinë në Beograd kushton vetëm 20 Euro. Ndërsa në Beograd kontrabandistët i dërgojnë njerëzit nëpërmjet Hungarisë në Austri apo Gjermani. Dhe, për një moment, u bë shumë më e lehtë se ndonjëherë, të lëvizësh e lirë nëpër Evropë. E gjithë kjo realizohej me pak shpenzime dhe kontrabandistët e gradualisht e zgjeronin rrjetin e tyre.

Azemi: Motivi im ishte shumë i thjeshtë: unë isha shumë kureshtar. Përnjëherë së cili fliste për kushtet e mira të jetesës në Gjermani. Unë isha kureshtarë, nëse do të mund të kisha një jetë më të mirë në Gjermani. Për këtë arsye e mora rrugën.

A ishte i vështirë dhe i kushtueshëm rrugëtimi ilegal për në Gjermani?

Azemi: Për mua ka qenë i rëndë vendimi për t’u nisur në atë rrugëtim të rrezikshëm dhe të vështirë. Në total ai rrugëtim më ka kushtuar 800 Euro.

Këto janë shumë para, nëse marrim në konsideratë pagën mesatare bruto prej 300-400 Euro. Si keni arritur në Gjermani?

Azemi: Unë e bleva biletën e autobusit për në Beograd. Nga Beogradi kam vazhduar në qytetin kufitar në Suboticë. Nga aty me ndihmën e kontrabandistëve kemi kaluar kufirin Serbi-Hungari. Në Hungari, jo shumë larg nga kufiri, një kontrabandist tjetër na morri me makinën e tij dhe na dërgoj në Austri. Në Austri kam hipur në tren dhe pas ndërrimit të dy trenave kam arritur në Bonn, ku më priste edhe një mik i imi. Nëse ne kosovarët nuk do të kishim nevojë për viza, atëherë unë do të kisha mundur t’ia kurseja vetës atë rrugëtim të vështirë dhe të rrezikshëm dhe të shkoja në mënyrë legale me aeroplan.

Zotëri Ministër, ju jeni duke punuar që të largohet regjimi i vizave për Kosovën, si vendi i vetëm në Ballkan që i nënshtrohet këtij regjimi. A mendoni se, pasi të ndodh kjo, dëshira për të shkuar në Gjermani do të zvogëlohet?

Çollaku: Ne jemi të fundit në Ballkan, të cilët ende kemi nevojë për viza për të udhëtuar në shtetet e BE-së. Para tri vitesh ne kemi filluar procesin për përmbushjen e kritereve, të cilat i ka parashtruar Brukseli. Në krahasim me vendet tjera, kriteret për vendin tonë u dyfishuan. Ne jemi duke punuar shumë në plotësimin e këtyre kritereve.

Si është pra gjendja momentale, që qytetarët tuaj të mos ndjehen më sikur të ishin të burgosur?

Çollaku: Deri tani kemi plotësuar 90% të kritereve të parashtruara nga ana e BE-së. Ne jemi mjaft të sigurt që në fund të këtij viti komisioni i BE-së do të lëshojë rekomandimin për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Çka do të thotë kjo për migrimin ilegal të kosovarëve për në BE?

Çollaku: Kjo, pra, është pika më interesante!

Por, pas largimit të regjimit të vizave, a nuk do të vijnë edhe më shumë kosovarë ne Gjermani, për të kërkuar azil?

Çollaku: Liberalizimi i vizave për Kosovën do të zvogëlojë rrezikun e migrimit ilegal.

A mund të na shpjegoni këtë më mirë?

Çollaku: Siç e kemi parë në dimrin e kaluar, regjimi i vizave nuk i ndalon qytetarët që të migrojnë në mënyrë ilegale. Regjimi nuk ndihmon në asnjë aspekt. Ai vetëm i ndalon njerëzit e mirë dhe normal si studentët, ndërmarrësit dhe nënën e babanë e zotëri Azemit, të cilët ndoshta vetëm dëshirojnë t’i vizitojnë të afërmit e tyre, apo ndonjë të sëmurë, i cili dëshiron të kontrollohet nga ndonjë specialist në Gjermani. Pasi ta marrim liberalizimin e vizave numri i emigrantëve ilegal do të bije në mënyrë drastike.

Azemi: Dëshirë e imja e zjarrtë do të ishte që të vizitoja jo vetëm Gjermaninë, por edhe Francën dhe Britaninë e Madhe.

A është duke u rritur frustrimi i kosovarëve për shkak të regjimit të rëndë të vizave?

Çollaku: Frustrimi i jonë veçse është shumë i madh. Shumë njerëz ndjehen plotësisht të izoluar. Ne pyesim vetën: Pse nuk na ka në qejf Evropa? Çfarë nuk është në rregull me ne? A nuk jemi ne evropianë?
Cila është përgjigja e Juaj?
Çollaku: Anëtarët e BE-së tani më e kanë kuptuar situatën tonë. Ne presim që liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejtë që është e mundur.

A nuk keni mirëkuptim për frikën e shteteve të BE-së si Gjermania, të cilat do pranojnë 800 000 apo më shumë refugjatë në këtë vit?

Çollaku: Unë mund t’iu sigurojë se me rastin e liberalizimit të vizave nuk do të ketë eksod. Numri i emigranteve ilegal për në Gjermani, të cilët do ta keqpërdorin liberalizimin e vizave, nuk do të rritet. Sepse, kur dikush nuk i respekton rregullat p.sh. në rastin e udhëtimit për në Gjermani, atëherë sigurisht që do të ketë pasoja. Praktika e tanishme e aplikimit për azil në Gjermani nuk bartë kurrfarë pasoja të qëndrueshme. Emigrantet ilegale tentojnë dhe vazhdojnë të tentojnë.

Zotëri Azemi, kur Ju keni aplikuar për azil në Bonn, a keni qenë të vetëdijshëm se keni shanse shumë të vogla në Gjermani?

Azemi: Pak a shumë e kam ditur, se do të jetë shumë e vështirë të pranoj azil atje.

Pse megjithatë jeni nisur për Gjermani?

Azemi: Thjeshtë kam qenë kureshtar ta dijë, se si duket Gjermania në të vërtet, pasi që kisha dëgjuar aq shumë fjalë për të. Unë shpresoja të kem një shans.

Mes muajve janar dhe gusht, 26 përqind e azilkërkuesve kanë qenë nga Shqipëria dhe Kosova. A janë arsye për këtë kushtet e vështira ekonomike dhe sociale?

Eco Higjiena

Çollaku: Sigurisht që arsyet kryesore janë kushtet jo shumë të mira ekonomike dhe sociale. Mirëpo, atë që kemi parë në dimër, ka qenë diçka plotësisht e re.

Çka dëshironi të thoni më konkretisht me këtë?

Çollaku: Papritmas njerëzit, të cilët kishin vende të punës, filluan ta lëshojnë Kosovën, për të ikur për në Gjermani. Këta njerëz fitonin 300 deri 700 Euro në muaj. Madje edhe mjekë dhe motra medicinale lëshuan vendet e tyre të punës për të kërkuar punë në Gjermani. Qëllimi i vetëm ishte gjetja e një vendi më të mirë të punës me një pagë më të lartë. Në vend që të fitonin 1000 Euro në Kosovë, mjekët dëshironin të fitonin 5000 në Gjermani. Krahas arsyeve ekonomike, ekziston thjesht një dëshirë shumë e madhe për një jetë më të mirë.

Çfarë roli luajnë kontrabandistët? Ata janë shndërruar në një lloj dege industriale në Evropën jug-lindore.

Çollaku: Ne jemi duke tentuar që në këtë vit, nëpërmjet një kampanje informuese, t’i vetëdijesojmë qytetarët. Në vitin e kaluar është fuqizuar dukshëm rrjeti i kontrabandistë në Kosovë, Shqipëri dhe vende tjera. Që t’i luftojmë kontrabandistët na nevojitet një bashkëpunim me i ngushtë ndërkombëtar me policinë. Por Kosova ende nuk është pjesë e Interpolit. Për këtë arsye e kemi mjaft të vështirë që t’i kapim dhe burgosim kontrabandistët.

A prisni që në dimrin e ardhshëm të ndodh sërish një eksod në masë?

Çollaku: Gjatë një kafeje të mëngjesit me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme kemi biseduar lidhur me këtë gjë. Do të varët shumë nga ajo, se a do të vazhdojë vala e refugjatëve të luftës. Nëse ne së shpejti nuk do kemi liberalizim të vizave dhe nëse nuk do të na ofrohet një perspektivë evropiane, frustrimi mund të rritet deri në nivelin, që shumë kosovarë të tentojnë që së bashku me refugjatet nga Siria dhe vendet tjera të emigrojnë në mënyrë ilegale. Qeveria ime dhe unë si Ministër i Integrimeve Evropiane nuk do të jemi në gjendje t’i ndalojmë qytetarët tanë.

A mund të konsiderohet si faktor stimulues për emigrimin e ilegal diaspora e madhe e kosovarëve në Gjermani dhe Zvicër?

Çollaku: Sigurisht që ky është faktor stimulues. Nëse vëllai i im jeton në Gjermani, kjo do të thotë që unë do të kem një strehë mbi kokë dhe ushqim. Ndoshta do të rrija dy muaj apo më gjatë, deri sa do të më kthenin. Në ndërkohë do të mund të punoja ilegalisht dhe t’i fitoja disa mijëra Euro. Nëse në fund kërkesa ime për azil refuzohet, atëherë qeveria e juaj merr përsipër shpenzimet e kthimit.

Zotëri Azemi, si ka qenë përjetimi i Juaj gjatë qëndrimit Tuaj prej gjysmë viti në Gjermani, në cilësinë e azilkërkuesit?

Azemi: Unë qëndroja në shtëpinë e një mikut, e jo në strehimoren e azilkërkuesve.

Azilkërkuesit nga Ballkani jo gjithmonë kanë trajtim të mirë në Gjermani, edhe nëse jetojnë në strehimoren e azilkërkuesve…

Azemi: Njerëzit në Gjermani kanë qenë shumë të sjellshëm. Për fat të mirë, asnjëherë nuk kam pasur një përjetim të hidhur, edhe kur isha duke udhëtuar.

Gjermania është dukë kthyer mijëra azilkërkues në Kosovë. Si i ndihmon qeveria këtyre njerëzve, të cilët shpeshherë janë mjaft të rinj?

Çollaku: Këtë vit e kemi një program të riintegrimit me një buxhet prej tre milion Euro, të cilin do ta vazhdojmë edhe në vitin 2016. Jemi të gatshëm që në çdo kohë ta shtojmë përkrahjen financiare të programit, nëse numri i emigrantëve të kthyer rritet. Së cilit të kthyer, i cili nuk ka kulm mbi kokë, do t’i ofrohet ndihmë. Së cili nxënës apo student do të riintegrohet në shkollën gjegj. universitetin e tij. Së cila komunë ka bashkëpunëtorët përkatës, të cilët ofrojnë ndihmën e tyre.

Çfarë mund të bëjë Gjermania, që ta përshpejtojë integrimin e azilkërkuesve të refuzuar në Kosovë?

Çollaku: Gjermania p.sh. përveç ambasadës ka themeluar edhe një qendër të informimit, ku mund të informohen qytetaret lidhur me punësimin legal. Kjo është një gjë shumë e mirë. Në parim vlen: Gjermania dhe vendet tjera të BE-së mund të na ndihmojnë me anë të investimeve. Fuqia jonë e punës është mjaftë e favorshme, sa i përket çmimit. Vendi i jonë është i stabil dhe i mbron investitorët e saj.

Zotëri Azemi, pasi jeni detyruar të ktheheni në Kosovë, si azilkërkues i refuzuar, cilat kanë qenë përjetimet e juaja në vendin tuaj?

Azemi: Pasi jam kthyer në Kosovë, në radhë të parë dëshiroja ta gjeja një punë. U ktheva sërish tek familja ime. Tani kam për qëllim t’i përfundoj studimet e mia në shkencat sportive.

A u janë kthyer në ndërkohë shpresat për të jetuar në vendin Tuaj?

Azemi: Tani punoj në një ndërmarrje private, e cila merret me mirëmbajtjen e kazermave të Forcave të Sigurisë.

Mirëpo, ky nuk është profesioni i Juaj i ëndrrave?

Azemi: Jo, qëllimi është që të bëhem mësues i edukatës fizike apo trajner i një klubi të futbollit. Për këtë arsye jam duke studiuar shkencat sportive në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Çollaku: Kjo është ide shume e mirë. Ne tani jemi duke punuar që Kosova të bëhet pjesë e FIFA dhe UEFA. Atëherë nuk do të ketë as izolim të sportit më. Ndoshta që në vitin e ardhshëm do të kemi një kombëtare të Kosovës?!

Në këtë kohë qindra-mijëra refugjatë, sidomos nga Siria dhe Iraku, janë duke kaluar nëpër Ballkan. Çfarë ndjenje keni, kur shihni këtë lëvizje të mjerimit duke kaluar nëpër ‘shtëpinë e të varfërve’ të Evropës?

Azemi: Unë ndjehem jashtëzakonisht keq. Si një ish-emigrant, e dijë shumë mirë se si ndjehen këta njerëz, sepse kam përjetuar gjëra të përafërta gjatë rrugëtimit tim për në Gjermani. Kjo, pa dyshim që është një përvojë mjaft e hidhur.

Çollaku: Këta njerëz gjenden në një situatë mjaftë dëshpëruese, andaj nuk guxojmë edhe t’i akuzojmë, sepse ata thjeshtë janë duke tentuar ta shpëtojnë jetën e tyre. Evropa në tërësi duhet ta gjejë forcën e t’i qaset kësaj çështje me solidaritet. Si evropianë duhet t’i demonstrojmë vlerat tona dhe besimin tonë në të njerëzishmen. BE-ja do të duhej ta ndante këtë barrë në mënyrë të drejtë.

Zotëri Azemi, në kohën kur ju keni kaluar kufirin e Hungarisë nuk ka pasur tel me gjemba në kufi dhe as dënime disavjeçare për emigrantët. Çka ju shkon në mendje kur i shihini tani këto pamje të reja?

Azemi: Unë ndjej dhembshuri për ata, të cilat duhet të përjetojnë gjëra të tilla në Hungari. Njëkohësisht, nga politika hungareze, ne në Kosovë jemi bërë edhe më të izoluar. Këtë izolim nga ana e Evropës me të vërtetë nuk e kemi merituar.

Nëse pas dhjet vitesh do të takoheshim sërish që të tret në Prishtinë, cilat ëndrra do t’i gjejmë të plotësuara?

Azemi: Unë shpresoj që ne atëherë do të jemi një vend normal dhe i barasvlershëm në Evropë, i cili do të trajtohet njësoj sikurse gjithë shtetet tjera.

Çollaku: Unë shpresoj që BE-ja do të përshpejtojë integrimin e tërë Ballkanit perëndimor dhe që të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor do të jenë pjesë e NATO-s. Unë jam plotësisht i bindur që kjo është rruga më e mirë e sigurimit të një stabiliteti të qëndrueshëm në këtë regjion. Unë pres që të gjithë ne në Ballkanin perëndimor do kemi një gjendje shumë më të mirë ekonomike. Atëherë papunësia e jonë do të jetë zbritur nga 30% ndoshta në 15%. Kjo është shpresa ime më e madhe.

Zotëri Azemi, zotëri Ministër Çollaku, faleminderit shumë për intervistën. /GazetaExpress/