“Çobanët ilir” po e braktisin Bjeshkën
Nga Nijazi Idrizi – Një mënyrë e veçantë e jetesës, ndoshta unike në Ballkan e bartur brez pas brezi nëpër mijëvjeçarë, që nga ilirët, e që ka arritur të vij deri në ditët e sotme, për fat të keq të civilizimit kombëtarë të shqiptarëve dhe të njerëzimit po vdes.
Qeni i Sharrit, delja e Sharrit, dhia vendore, djathi i Sharrit, Kolibja e çobanit, stani, ropuhi, udha e leshit, janë pranë vijës së kuqe të ekzistencës së tyre. Të gjitha këto raca e derivate të tyre (siç janë edhe toponimet) i kanë mbajtur gjallë nëpër breza njerëzit e këtyre hapësirave me dhjetëra mijëra vjet, duke i bërë ata njësh me natyrën, gjatë përdorimit të burimeve që ua ka dhënë ajo, pa i marr asgjë më shumë se që duhet, por duke ia ofruar asaj krejt kujdesin e nevojshëm.
Kjo është treva e Sharrit (Komuna e Dragashit), hapësira më e veçantë e Kosovës, ku ka mbijetuar me shpirt në dhëmbë deri në ditët e sotme njeriu me karakteristikat ilire dhe me trashëgimi të asaj jete.Kosova është vend shumë i pasur me livadhe dhe kullosa. 15% e sipërfaqes së përgjithshme të saj ose 161.400 hektarë janë të mbuluara me vegjetacion të bujshëm në periudha të ndryshme të vitit. Nga kjo hapësirë 20 % ose një e pesta gjendet pikërisht në këtë komunë të vogël e të harruar.Komuna e Sharrit është karakolli i Kosovës. Ajo shtrihet në një lartësi mbi 1000 m mbi nivelin e detit.
Aty ka pak tokë bujqësore, por sipërfaqja me livadhe e kullosa arrin në 75% të territorit ose në rreth 32.000 hektarë.Banorët e kësaj ane për këtë arsye tradicionalisht janë marr me blegtori. Në kullosat e pasura të këtyre hapësirave, nëpër mijëvjeçarë, kanë kullotur me dhjetëra mijëra kokë të bagëtive të cilat i kanë lidhur banorët aty, nga të cilët janë themeluar 37 vendbanime.Deri para një shekulli kur edhe ky vend ka qenë Shqipëri dhe nuk ka pasur kufij, këto bagëti kanë dimëruar në fushat e Selaniku, ku janë bërë këmbimet dhe furnizimet e dyanshme.
Edhe sot më të moshuarit i përcjellin të gjalla rrëfimet e baballarëve të tyre për rrugën “pesë javëshe” të karvanëve të cilët zbrisnin nga bjeshkët dhe duke i kullotur bagëtitë arrinin në Selanik, ku secili strehohej te banorët vendës me të cilët flisnin të njejtën gjuhë dhe kishin ndërtuar raporte të ngushta. Nga këtu në syrin e pranverës fillonte kthimi i ngadalshëm i karvanëve të cilët lëviznin bashkë me dëborën që zmbrapsej, për të arritur në bjeshkët e tyre, pas “pesë javëve”.Në trevën e Sharrit u kënduan këngë dhe u luajtën valle, dhjetë nga të cilat, si grup, kanë ardhur deri në ditët e sotme, po që për shkak të moshës së madhe që kanë askush nuk ua di përmbajtjen, por që përjetohen, (si asnjë tjetër).
Këtu pehlivanët janë mundur me njëri tjetrin dhe kalorësit kanë bërë gara në vrapim.Kjo traditë e bukur u ndërpre pas pushtimit serb të Kosovës më 1912. Pas këtij viti tregtarët serb e morën rolin e ndërmjetësve të tregut me Selanikun dhe i falimentuan shumicën e familjeve të pasura.
Ato filluan të mbijetojnë nga blegtoria, me çka u prishë kjo lidhje “kur flisnin dhe merreshin vesh anët e botë”. Banorët e varfër të kësaj ane mbetën të izoluar dhe mezi arritën të mbijetojnë aty deri në ditët e sotme.Sot Bjeshka qëndron aty e bukur dhe madhështore, por pa zërat e gëzueshëm të banorëve, pa blegërimat e deleve, pa lehjet e qenve, pa zilet e kambanave të cilët po i mungojnë këtij vendi.Për shkak të reshurave të bollshme edhe në muajin tetor bjeshka ende është e gjelbër! Këtë vit, sipas fjalëve të çobanëve ka pasur më pak se çdo herë tjetër dele në kullosa dhe ky numër këtu nuk po rritet.
Kjo po ndodh për shkak të mungesës së infrastrukturës elementare të qasjes me rrugë të kalueshme në stanet dhe kullosat!Madje janë rralluar shumë edhe qenët karakteristik ilir të Sharrit dhe “a bëhen 200 banorë në të gjithë Komunën e Sharrit”, nga disa mijëra të tillë, të cilët janë kujdesur për disa qindra mijëra dele jo vetëm në këto hapësira.
Banorët e fundit besnik të çobanëve janë rralluar shumë e mund të numërohen me gishta në fshatrat si Restelicë, Brod, Radesh, Leshtan, Bresanë, Kuk, Pllajnik, Kuklibeg, Kosavë, Zaplluxhë, Zgatar, Brut, Zllipotok. Sherafedin Osmani, së bashku me disa dashamirës të kësaj race e pati themeluar një Shoqatë për mbrojtjen dhe shtimin e numrit të tyre, por që në mungesë të mjeteve dhe mbështetjes së institucioneve u detyrua që të heq dorë nga ajo.Këtë vit, për herë të parë, nuk u pa as bora e cila vende vende “e zë bora borën”, nëpër disa gjepa dhe e bënë këtë vend të rëndësishëm si atraksion turistik, por edhe për rezervat e ujit i cili këtu rrjedhë edhe në muajt më të thatë të vitit.
Pas çlirimit të Kosovës, këta njerëz kanë shpresuar shumë se Institucionet tona dhe Donatorët do ta kuptojnë thelbin e kësaj trashëgimie si një pasuri kombëtare, evropiane e botërore, e ardhur nga një kulture dhe civilizim i pa perënduar.
Ata shpresuan se do ndihmoheshin që të ngjiten aty ku u shkëputën me dhunë, për ti afirmuar këto vlera, dhe pasuruar me përvoja të reja, pa i prishur vlerat mbi të cilat ata kanë mbijetuar, janë zhvilluar dhe kanë frymëzuar nëpër mijëvjeçar.Në vend të kësaj Institucionet tona këtyre njerëzve në emër të subvencioneve dhe grandeve iu dhanë lëmoshë, ndërsa donatorët i lanë ca fleta të shkruara falënderimi për bashkëpunim, i qarkulluan ca para, nga njëri gjep te tjetri dhe kaq.
Në këto hapësira kaq të gjera, sot kullosin 9.600 dele, 30 dhi, 418 kuaj, aq sa i ka pasur vetëm një fshat në të kaluarën! Ndërsa sipas studimeve vendore aty mund të ushqehen më së paku 50.000 dele e me standarde të BE madje mbi 150.000 (5-6 dele ne 1 he).Familjet punëtore të asaj ane, po përpiqen që të mbijetojnë me grumbullimin e frutave dhe bimëve të malit si qaji i malit, kokrrat e dëllinjave, qershia e egër, dredhëzat e egra, kaçat, manëzat, kulumbritë, bislimet, lule shtogun etj. të cilat i kërkojnë tregtarët për treg të Evropës ku shitën me çmim të mirë.
Banorët e Sharrit po presin që pas shpalljes së kësaj hapësire si Zonë e Mbrojtur, të hartohet një planë për kthimin e namit të dikurshëm, të pamjes ilire, e cila do të bëhet shumë atraktive për turizëm kulturor, rural, malorë e për bjeshkatarët nga të cilat do të përfitonin në radhë të parë banorët besnik të kulturës dhe civilizimit të lashtë të tyre.Sepse Zona e Mbrojtur, nuk ka kuptim të mbetet e pa popullzuar nga të gjithë ata banorë që mbijetuan aty nëpër shekuj.


