Çmimi që nderoi Fahri Beqirin

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Pesëdhjetë vjet karrierë të kompozitorit, Fahri Beqirit në këtë fund të nëntorit nuk kanë mbetur pa u vërejtur edhe nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila me “Medalje të Meritave” ka nderuar kompozitorin Beqiri, por edhe artistë të tjerrë të fushave të ndryshmë, duke mos i përjashtuar as ato post mortum.

Për 77 vjeçarin Beqiri ky është çmimi që e ka nderuar më së shumti, duke e pas parasysh edhe rëndësinë që është ndarë nga Presidenca, por edhe për faktin se ky çmim është ndarë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Është nder i veçantë që prej Presidencës më është ndarë ky çmim dhe më është ndarë në periudhën më të shenjtë të historisë kombëtare”, ka thënë Beqiri.

Sipas tij, ai në karrierën e tij është bartës pothuajse i të gjitha çmimeve të mundshme që janë ndarë në kohën e ish- Jugosllavisë, por ai më i vlefshmi, padyshim që mbetet çmimi i fundit, që ndoshta simbolikisht mund të jetë edhe shënim i tërheqjes së Beqirit nga aktivitetet e tij publike. “Me sa po e shoh do të tërhiqem nga aktivitetet publike. Kam qenë i angazhuar në fakultet, jam tërhequr, njëjtë kam vepruar edhe me ansamblin “Shota”, dhe me “Kastriotët”, ka thënë Beqiri, duke thënë se ka ardhur koha t’ia vërë pikën veprimtarisë së tij, për t’iu lënë vend të rinjve.

UBT

Sipas tij, ai ka qenë një tip që ka vuajtur për kontribut, dhe kontributi i tij i shtrirë në pesë dekada, më në fund është shpërblyer nga Presidenca, që dëshmon se mundi nuk i ka shkuar kot. “Nuk më shkoi mundi kot, do ta mbaj këtë çmim si çmimin më të dashur, pasi që çdo 28 nëntor do të ma kujtojë këtë çmim”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, krejt veprimtaria e tij artistike, duke përfshirë kompozimet, aranzhimet, organizimet e ndryshme kanë pasur një shtrirje edhe territoriale duke përfshirë: Kosovën, Maqedoninë e Shqipërinë. Ky ka qenë kontributi ku ka prekur dora e kompozitorit Beqiri. Ndërkaq, nëse flasim edhe për interpretimin e veprave të Beqirit nëpër vende, atëherë shtrirja shkon edhe nëpër vendet e ish Jugosllavisë. “Poema simfonike “Skënderbeu” mbetet letërnjoftimi im. Është vepra që më bën të ndihem më së miri. Kjo vepër është ekzekutuar në shumë vende, duke e përfshirë edhe Beogradin e Sarajevën, por poema simfonike “Skënderbeu” është interpertuar edhe me rastin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës nga Filarmonia Opera e Kosovës, dhe nga i njëjti institucion është intrepretuar sërish në këtë nëntor”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, krijimtaria e tij përgjatë krejt këtyre viteve përfshin gjini të ndryshme duke nisur që nga veprat për fëmijë, pastaj kompozime solistike-korale, vepra artistike për instrumente të ndryshme e deri te kontributi i tij në ansamblin “Kastriotët” dhe “Shota”. Përpos Fahri Beqirit, nga ana e presidentes janë nderuar me çmimin “Medalje të Meritave” edhe: Ismet Peja, Shahindere Berlajolli e Liljana Çavolli, Leze Qena, Igballe Qena, Selman Lokaj dhe Hadi Shehu. Kurse me “Medalje të Meritave”, post mortum janë nderuar Abdurrahman Shala, Muharrem Qena, Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Ali Ahmeti, Xhevat Qena, Istref Begolli, Agim Çavderbasha dhe Esat Bicurri.(zeri)