Çmime referente për tenderët ‘paushall’

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Institucionet e vendit vazhdojnë të furnizohen me çmime të ndryshme për artikujt e njëjtë. Çmimi i një letre për fotokopje në të cilat shkruajnë zyrtarët shtetërorë në disa raste është blerë shumëfish më shtrenjtë. Kjo pasi që nga 172 Autoritete Kontraktuese, pothuajse asnjëri nga ta nuk blen letër me çmim të njëjtë. Çmimi i një pakete prej 500 fletëve të formatit A4 letër për fotokopje, që blejnë institucionet e vendit, ka diferencë të madhe dhe ajo sillet nga 1,9 deri në 3,99 euro.

Për të zbutur këtë laramani të çmimeve, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), pas shumë vonesave më në fund këtë javë ka publikuar manualin me çmimet për njësi për punë, mallra dhe shërbime për Institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këtë manual përkatësisht janë publikuar çmimet për njësi për materiale zyrtare dhe ato higjienike për t’i ndihmuar zyrtarët e prokurimit në mënyrë që ata të kenë referencë të çmimeve. Megjithatë, ky manual nuk do të jetë obligues për zyrtarët e prokurimit. Në KRPP pranojnë se janë vonuar me publikimin e manualit me çmime referente.

Fundamenti

“Një manual i tillë ka qenë më se i nevojshëm të publikohet edhe më herët, por KRPP në mungesë të burimeve financiare dhe burimeve njerëzore nuk ka pasur mundësi të përgatitë dhe publikojë më herët. Tani iniciativa për publikimin e një manuali të tillë është marrë në bashkëpunim me Bankën Botërore, me ç’rast projekti për përgatitjen e një manuali të tillë financohet nga Banka Botërore”, thuhet në përgjigjet me shkrim nga KRPP. Ky institucion premton se një manual i tillë do të zgjerohet duke përfshirë listat e çmimeve edhe për kategoritë tjera.

Megjithatë sipas tyre, “lista e çmimeve” e publikuar në ueb-faqen e KRPP-së nuk është obligative as për autoritetet kontraktuese dhe as për operatorët ekonomik. “Iniciativa për publikimin e listave në fjalë është marrë për t’i ndihmuar zyrtarët nga autoritetet kontraktuese me rastin e caktimit të vlerës së parashikuar për një aktivitet prokurimi apo për ‘u mbështetë zyrtarët e prokurimit gjatë vlerësimit të tenderëve dhe implementimit të kontratave, gjithashtu edhe operatorët ekonomik mund t’iu referohen këtyre listave gjatë përgatitjes së tenderëve të tyre”, thuhet në përgjigjet e KRPP-së./Tribuna