Çmenduritë e QKU-së

Dhjetëra gra shtatzëna po presin që të futen në sallat e Klinikës Gjinekologjike. Por, drejtuesit e QKU’së prioritet i kanë dhënë gëlqerosjes, ndërkohë që nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje të përkohshme. Drejtori Njazi Gashi tha se të gjitha operacionet janë anuluar deri ditën e hënë, përveç rasteve emergjente. Deri atëherë grave iu mbetet t’i durojnë dhimbjet.
Gëlqerosja e sallave të lindjes ka anuluar të gjitha operacionet në Klinikën Gjinekologjike. Kështu është vendosur nga drejtoria ekzekutive e QKU-së. Krejt kjo është bërë për shkak të renovimit të sallave të lindjes. Vetëm një sallë është lënë rezervë dhe ato për ndonjë rast emergjent apo të rëndë. Këtë anulim e konfirmoi për Express vetë drejtori i QKU-së, Njazi Gashi.
Ai tha se deri të hënën nuk do të ketë operacione. “Me përjashtim të rasteve urgjente apo edhe ndonjë rasti të rëndë”, tha Gashi për Express.
Sipas tij renovimi i sallave të lindjes duhet bërë patjetër, kështu që e vetmja zgjidhje është që gjatë ditëve të ardhshme të bëhen ato. “Të hënën patjetër se do të lëshohen sallat”, tha Gashi.
Me gjithë këtë vendim, Klinika e Gjinekologjisë është e mbushur me paciente që presin të lindin. Një burim brenda klinikës ka thënë se vetëm gjatë së enjtes në këtë klinikë janë shtrirë më së paku 80 paciente.
Kur të merret parasysh se deri të hënën janë edhe tri ditë ky numër pritet të rritet. Por ka paciente që janë të shtrira që nga e mërkura. Njëra nga to Sh. B ka thënë për Express se mjekët i kanë thënë se nuk ka operacion deri të hënën që vjen. “Se di pse, por kështu më kanë thënë”, ka thënë kjo paciente. Halle të njëjta kanë edhe pacientet e tjera. Ato që kanë shtëpitë më larg detyrohen të rrinë në spital, ndërsa ato që jetojnë në komunat më të afërta shkojnë të pushojnë në shtëpi. “Më mirë shkoj në shtëpi atje të paktën e kam më pastër”, thotë një paciente që nuk dëshiron ta tregojë emrin. Edhe familjarët që kanë ardhur të marrin ndonjë informacion në lidhje me të shtrirat në QKU çuditen kur dëgjojnë një lajm të tillë.(express)