Cliff: Nuk përzihemi në krijimin e Qeverisë!
Partitë politike duhet të punojnë vet për të krijuar Qeverinë e ardhshme dhe të mos presin ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, kështu ka deklaruar për Radio Dukagjinin, ambasadori britanik, Ian Cliff. Ai ka theksuar se dialogu me Serbinë është proces vital dhe nuk bën të pezullohet.
Asnjë nga liderët politik nuk mund të pres që ndërkombëtarët do të ndërhyjnë për të zhbllokuar ngërçin politik dhe për të zgjedhur qeverinë e re.
Këtë e ka bërë të qartë në një intervistë dhënë Radio Dukagjinit, ambasadori britanik, Ian Cliff.
Sipas tij, si evropianët ashtu edhe amerikanët janë të prerë, kosovarët duhet vet t’i zgjedhin problemet politike.
“Partitë politike kosovare duhet tash të bashkëpunojnë ngushtë, pa asnjë ndërhyrje nga ndërkombëtarët që të zgjedhin qeverinë e re. Për momentin nuk e dimë se kush do ta krijoj atë, por ne si Britani e Madhe presim që kushdo që të vjen në qeveri, të punojmë së bashku. Është vendim që duhet marr vet institucionet e Kosovës, me ndihmën e Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur situatën e krijuar pas zgjedhjeve”, ka thene Cliff.
I pyetur lidhur me kërkesat për pezullimin e dialogut me Serbinë, Cliff ka theksuar se një gjë e tillë do të ishte krejt e pakuptimtë.
“Është një gjë e keqe. Pezullimi i dialogut nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Mendojmë se shumë marrëveshje mund të avancojnë sepse jemi në fazën implementuese të tyre”, ka vlerësuar ambasadori britanik.
Kur është pyetur nëse procesi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një traktat paqeje, ambasadori Cliff ka theksuar se do të ishte shumë mirë nëse të dy vendet do të nënshkruanin një marrëveshje për marrëdhënie të avancuara ndërmjet vete.
Sipas Cliff, sfidat kryesore të Qeverisë së ardhshme pos dialogut do të jenë edhe çështjet ekonomike, siç është krijimi i vendeve të reja të punës.
I pari I shtetit Britanik në Kosovë, Ian Cliff mendon se çështja e energjisë do të jetë problematikë me të cilën do të përballet ekzekutivi i ardhshëm. /Telegrafi/


