Cliff: FSK-ja ka arritur rezultate të mira në zhvillimin e kapaciteteve
Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli priti sot në takim, Ambasadorin fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Ian Cliff.
Ministri Demolli pasi falënderoi ambasadorin britanik për vizitën, e njoftoi atë mbi gjendjen në MFSK dhe FSK si dhe me disa prej planeve për zhvillimin e MFSK-së dhe FSK-së në të ardhmen.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli gjithashtu, u shpreh mirënjohës mbi zhvillimin, të arriturat dhe rezultatet e MFSK/FSK,të cilat janë edhe rezultat i planit bilateral të bashkëpunimit në mes të ministrisë për FSK dhe ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.
Nga ana e tij, Ambasadori Ian Cliff, pasi uroj ministrin Demolli për detyrën, u shpreh se FSK-ja ka arritur rezultate të mira sa i përket zhvillimit të kapaciteteve, gjithashtu në rekrutimin e gjinisë femërore si dhe minoriteteve.
“Ne jemi të lumtur që deri më tani kemi realizuar një varg aktivitetesh në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe kemi arritur që ta përkrahim ministrinë dhe Forcën e Sigurisë, në shumë fusha si me këshillime, shkollime, trajnime e drejtime tjera”, ka thënë ai.
Ministri Demolli dhe Ambadadori Cliff konfirmuan se bashkëpunimi i dyja shteteve, përkatësisht ministrisë për FSK dhe ministrisë të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdoj edhe në të ardhmen me intensitet edhe më të shtuar.
Kjo ishte vizita e parë e Ambadadorit Ian Cliff në ministrinë për FSK, prej që ministri Haki Demolli ka pranuar detyrën e ministrit të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, ambasadori Ian Cliff pati takim të veçantë edhe me Komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastratin./Telegrafi/


