Cliff: Beogradi një herë i mashtroi serbët, tash po i qetëson

Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se serbët e veriut të Kosovës për 14 vjet u është thënë nga Beogradi se nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të Kosovë. “Por, tash papritur ju thuhet në institucionet e Prishtinës.
Lëvizja e mendimeve nuk duhet të bëhet brenda natës. Duhet ta pranojmë se njerëzit kanë dyshime, prandaj duhet të ketë një proces gjatë të cilës do t’u sqarohet se do të kenë një ombrellë të përkohshme me anë të Asociacionit dhe në kuadër të Ahtisaarit”, ka thënë Cliff, gjatë një debati në Universitetin AAB, transmeton Telegrafi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, gjatë këtij debati ka thënë se implementimi në terren i marrëveshjeve në Bruksel, do të përfundojë me një marrëveshje historike pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë, ambasadori Cliff ka thënë se marrëveshja arritur megjithatë e meriton që të përmendet me dy-tre rreshta në librat historikë.
Ndërsa, politikani serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq ka thënë se është mirë që kjo marrëveshje të mos quhet historike, sepse këtë do ta tregojë koha. “Mitrovica është vend kyç ku do të sfidohet. Ndryshimet nuk vërehen në Gjilan e Gjakovë, sepse këtu ka një numër të vogël të banorëve serbë”, ka thënë Ivanoviq.
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka thënë se me anë të këtij procesi të dialogut duhet të ndërpritet një histori negative e dështimeve të dialogjeve të deritashme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të fillojë një komunikim më normal interaktiv shtet me shtet.
“Pajtohem me Ivanoviqin se për 14 vjet që janë manipuluar serbët. Lajmi i mirë që po ndërron Beogradi, por duhet parë me kujdes se si do të veprojë. Ndërsa, shumica e shqiptarëve në Kosovë nuk duhet të kenë frikë se u jepen të drejta qytetarëve serbë”, ka thënë Hyseni.