UBT

Ç’kornizë të re të dialogut Kosovë- Serbi sollën Gjermania dhe Franca?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se nga këshilltarët e kancelarit të Gjermanisë dhe presidentit të Francës ka marrë një propozim për një kornizë të re për bisedimet në Bruksel, e cila siç tha ai, duhet të çojë në zgjidhje përfundimtare me Kosovën.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në Serbi, Vuçiq nuk ka detaje për këtë propozim, por njoftoi se mesazhi i ndërkombëtarëve ishte se kanë nevojë për një zgjidhje sa më shpejtë.

“Morëm nga ata propozim me armaturë plotësisht të re të bisedimeve në Bruksel që do të duhej të çonin së shpejti në zgjidhje përfundimtare të problemeve, me të cilat u përballëm si dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura me Kosovën. Ditëve të ardhshme do të ketë shumë më tepër trysni që të arrihet zgjidhje. Ata besojnë se në kushtet kur ka luftë në Evropë, nuk ka nevojë për konflikte të reja dhe se është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje më shpejt”, është shprehur ai.

Një ditë më parë, Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se në takimin me këshilltarët e kancelarit të Gjermanisë dhe presidentit të Francës, Kosova ka treguar vullnetin për t’u angazhuar në dialogun parimor dhe të përgatitur mirë.

“Qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshje ligjërisht e obligueshme me njohjen reciproke në qendër. Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjitha palët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Mobi Casa

Procesi i nisur do të vazhdojë ditëve të ardhshme, bëri të ditur i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, pas takimeve në Prishtinë e Beograd. Tha vetëm shkurt se kishin diskutime të thella për të gjetur opsione drejt përparimit në dialogun Kosovë-Serbi.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, shpreh pikëpamjen se propozimi i të dërguarve të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron për kornizë të re të dialogut përmban edhe propozimin për mbylljen e bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Tregon qartazi propozimet konkrete që duhet të merren për shqyrtim dhe vendosje se cila do të jetë ajo që do të ndihmojë në përmbylljen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi me qartësimin e statusit juridik dhe politik të të dyja vendeve”.

Një ditë më parë, Kosovën dhe Serbinë e vizituan i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe këshilltarët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron. /RTV21/