Uji Dea

Çka tash?

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gati askush në Bruksel nuk sheh mundësinë që në rrethanat e tanishme të ndodhë normalizimi i mirëfilltë i raporteve Kosovë – Serbi, i cili (natyrisht), do të nënkuptonte që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës.

A po e shihni çfarë janë? A po e kuptoni që në politikën e Serbisë, nuk ka ndryshuar, të thuash, asgjë? Pse ne, si Kosovë, ende duhet t’i vuajmë pasojat e një politike vazhdueshëm të mbrapshtë të elitave politike të Serbisë, të cilat nuk kanë treguar shenja që e kanë ndërmend të mbledhin mend dhe ta marrin vesh që nuk mund të ecin kah BE-ja e të mos ecin (largohen) prej Veriut të Kosovës? Etj.etj.

Të gjithë ne, qofshim politikanë qeveritarë dhe opozitarë, gazetarë, opinionist e analistë, qytetarë të rëndomtë të Kosovës, në këtë mënyrë, njëzëri dhe të një mendjeje e bindjeje, kemi komentuar, përballë politikanëve dhe diplomatëve perëdimorë, më së shumti megjithatë, në mes veti, ngadhnjimin politik të Tomisllav Nikoliqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Derisa shpjegimet e kemi pak a shumë të njëjta, konkludimet që pasojnë dallojnë thelbësisht.

Optimistët e paktë mbërrijnë disi ta artikulojnë qëndrimin e tyre që tash e tutje, me një politikan të këtij kalibri, askush në Perëndim nuk do ta mbajë më gjallë iluzionin që Beogradi mund t’i mbledhë vetë plaçkat dhe valixhet nga Kosova, në kërkim të asaj bilete të artë njëkahëshe kah Brukseli. Apo, që kupa e durimit dhe pritjeve të Perëndimit është mbushur, dhe që për pak kohë, do t’i tregohet vendi udhëheqësisë së Serbisë në karshillëkun ndaj Kosovës. Të tillët do të kenë si një argument goxha valid katërpikëshin e Mirosllav Lajçakut të sjellë në Beograd kohë më parë, i cili është një përkujtim i formuluar më butë i qëndrimeve të njohura të Kancelares gjermane Angela Merkel, të shprehura publikisht në Beograd , në gushtin e vitit të shkuar.

Të tjerët e shumtë, të cilët mund t’i klasifikojmë si realistë e si pesimistë, varësisht prej disponimit të ditës, do të thonë që çfarë ndodhi në Serbi me këto zgjedhje, do t’i bëjë evropianët edhe më të druajtur, më të kujdesshëm, më të matur në trajtimin e temave politike me Serbinë, duke kërkuar me çdo kusht hapësirë për Boris Tadiqin, i cili mbetet krye-investimi i Brukselit, dhe i cili, së paku deri tash, ka pasë si argument kryesorin të vetin (pse Perëndimi duhet ta mbështetë atë) fitoren eventuale të Nikoliqit dhe radikalizimin e Serbisë.

Fitorja e Nikoliqit ndodhi, radikalizimi i Serbisë u konstatua me vota, dhe prapë, Brukseli i kthehet Tadiqit sepse nuk ka çfarë të bëjë.

Serbia ka telashe të shumta politike, sociale dhe ekonomike, të cilat në masë të madhe nuk janë adresuar viteve të fundit, duke pasë si justifikim luftën e humbur (disa herë) për Kosovën, apo përpjekjet e parreshtura që humbjet e atjeshme disi të kthehen në fitore në Serbi dhe në marrëdhëniet e Beogradit me Brukselin.

Hidromorava

Hap pas hapi, gabim pas gabimi, dështim pas dështimi, Tadiqi dhe lidershipi kinse pro-evropian, me atë politikën e famshme ‘edhe Serbia, edhe Kosova, edhe BE-ja’, dhe atë tjetrën ‘Edhe Evropa, (dhe Amerika) edhe Rusia’, apo me një qasje all-inclusive, mbërriti tani në situatën kur ka humbur thuaja gjithçka që ka mundur të humbet, duke përshirë, realisht, edhe vetë Serbinë. Me një arrogancë të paparë politike të Qeverisë së kaluar të Serbisë karshi gjithë Botës (dihet se si është sjellë Vuk Jeremiq, Ministri i Jashtëm i Serbisë), dhe përballë Kosovës, me një shkelje syri kah nacionalizmi në shenjë përkrahjeje, me kalkulimet e gabuara sa i përket një roli të paqenë në relacionet me Brukselin dhe Moskën, Tadiqi me gjithë shoqërinë e tij objektivisht e kanë gjetur atë çfarë e kanë kërkuar dhe merituar.

Por gjithë këto fjalë të cilat me gjasë, do t’i nënshkruanin shumica, në mos gjithë shqiptarët e Kosovës, nuk ndryshojnë asgjë sa i përket gjendjes aktuale në Veri të Kosovës, dhe zhvillimeve të paralajmëruara dhe të parashikuara politike në relacionet midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat mbi të gjitha varen prej marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian.

Pra, të harrojmë që dikush në Bruksel mendon të ndëshkojë politikisht dhe ekonomikisht Beogradin për shkak të rezultatit të zgjedhjeve. Të mos mendojmë që tash do të jetë më lehtë për ne në përpjekjet për ta integruar Veriun e Kosovës, për ta krijuar një rend të njejtë kushtetues dhe ligjor në gjithë territorin e Kosovës. Të mos gabojmë në dëshirat tona që Beogradi i këtillë do të jetë më i dobët se ai i mëparmi në mbrojtjen e politikës së gabuar karshi Kosovës dhe shqiptarëve. Paradoksalisht, vlenë e kundërta.

Është e vërtetë, në anën tjetër, që thuaja askush më në Perëndim nuk beson në teoritë për ndarjen territoriale të Kosovës si solucion të pranueshëm për te dy palët, për rajonin, për mbarë Evropën. Por gjithashtu, nuk janë të shumtë ata në Bruksel që vënë pikën pas variantit Ahtisaari për veri. Më në fund, gati askush andejpari nuk sheh mundësinë që në rrethanat e tanishme të ndodhë normalizimi i mirëfilltë i raporteve Kosovë – Serbi, i cili (natyrisht), do të nënkuptonte që Serbia ta njeh shtetin e Kosovës.

Kur të gjitha këto elemente shihen së bashku, del që nuk mund të priten ndryshime substanciale të politikës së Brukselit ndaj Kosovës dhe ndaj synimit të kahmotshëm për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimorë.

Do t’i lihet kohës që ajo vetë disi t’i zgjidhë problemet që janë trashëgimi, pos tjerash, edhe të politikave dhe përzgjedhjeve të gabuara në Ballkan, gjithnjë duke shpresuar që politikanët si Tadiqi, do t’ia dalin disi të kombinojnë politikën që njëmend do të jetë pro-evropiane, me një tjetër që do ta njohë realitetin në Kosovë.

E ky realitet, do të bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)