Uji Dea

Çka po pret Jakupi

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi prej muajit shkurt të këtij viti nuk ka bërë publik asnjë qëndrim sa i përket të ardhmes së tij politike.

Në atë kohë, Krasniqi pati shkruar dy letra njërën pas tjetrës, ku kishte sqaruar se nuk e pranon pozitën e anëtarit të Kryesisë së PDK’së, derisa zgjedhjet brendapartiake i kishte cilësuar si të parregullta dhe me qëllim për eliminime politike.

Sidoqoftë, analisti Shkëlzen Maliqi konsideron se rrugët e ish-Sekretarit të PDK’së me Hashim Thaçin janë ndarë, por vetëm ka mbetur të përcaktohet se si Krasniqi do të veprojë tutje. “Aktualisht, Jakup Krasniqi nuk po di kah t’ia mbajë. Por, s’ka më kthim prapa të Krasniqit në PDK”, ka thënë Maliqi, për Express, të hënën.

Hidromorava

Sipas Maliqit, jo vetëm Jakup Krasniqi është në pritje të zhvillimeve politike, por edhe partitë tjera janë duke pritur përfundimin e zbatimit të marrëveshjes me Serbinë. “Është njëfarë situate e pritjes, jo vetëm e tij, por edhe të gjithëve.

Edhe Liderët e partive tjera janë deklaruar se të gjitha proceset janë ngadalësuar për shkak të bisedimeve në Bruksel. Këtu po e shoh njëfarë bllokade që edhe zyrat diplomatike, duke përfshirë edhe Brukselin dhe Washingtoni ndikojnë që të mos ketë trazira të brendshme politike pa u zbatuar marrëveshja e Brukselit”, ka thënë Maliqi. Ky analist politik thotë se PDK ka probleme jo vetëm me Krasniqin, por edhe me Degët nëpër Kosovë. Në këtë situatë, Maliqi thotë se Krasniqi po pret që t’i bashkohen edhe zyrtarë të tjerë të pakënaqur me lidershipin aktual të PDK’së. “Nuk e di çfarë forme do të zgjedh ai që të largohet nga PDK’ja. Do të formoj parti të re apo do t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër. Potenciale në terren ka. Një moment i rëndësishëm është nëse do të shkoj vet apo me Fatmir Limajn dhe një grup të njerëzve të spikatur të PDK’së që do të ndikonte shumë në forcën e PDK’së”, ka shtuar ai. Sipas tij, PDK po mundohet të krijoj situatën Krasniqit që të largohet me sa më pak njerëz në mënyrë që mos të dëmtohet partia. “PDK ka probleme edhe me kandidatë nëpër disa komuna. Është situatë jo e mirë brenda PDK’së dhe ata po tentojnë që të minimizojnë sa më shumë dëmin që mund t’ua shkaktoj Krasniqi”, ka thënë Maliqi. Jakup Krasniqi prej themelimit të PDK’së kishte mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm, ndërsa prej vitit 2008 ka mbajtur edhe postin e Kryetarit të Kuvendit.

Bashkë me Krasniqin kundër politikave të Kryetarit të PDK’së ka dalë edhe Fatmir Limaj, ish-Nënkryetari i Parë, i cili po vazhdon të mbetet në paraburgim nën akuza për krime lufte dhe korrupsion./express/