RCCOLA

Çka po ndodhë me tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë?

/ 3 minuta lexim

Deklaratat e kohëve të fundit të kryeministrit Albin Kurti se siguria e Kosovës mund të cenohet nga Serbia, u cilësuan nga opozita dhe njohës të ekonomisë, si të dëmshme sa i përket tërheqjes së investimeve nga jashtë. Megjithëkëtë, ekspert të ekonomisë thonë se si pasojë e korrupsionit e procedurave burokratike, Kosova prej vitesh ka humbur betejën për tërheqjen e investimeve të huaja.

Deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, për gazetën “La Repubblica” në lidhje me 48 bazat ushtarake serbe rreth Kosovës dhe rrezikun për luftë mes dy shteteve, pasi siç citohet të ketë thënë kryeministri “pas Serbisë është Putini”, u kritikuan nga opozita e ekonomistë. Pas publikimit të intervistës së kryeministrit, reagoi edhe ish kreu i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, sipas të cilit, përhapja e opinionit në mediat globale, që në Kosovë mund të ketë luftë, nuk i sjell asnjë dobi vendit.

“Kompani të interesuara për investime, në mesin e tyre një amerikane që planifikon të hap degë në Kosovë, në muajt në vijim, më kanë kontaktuar në ditët e fundit, të shqetësuara nga ajo që kanë lexuar”, shkroi ai në Facebook.

Ndonëse raportet Kosovë-Serbi janë mjaftë të acaruara kohëve të fundit, deklaratat e kryeministrit u keqinterpretuan nga opozita e ekonomistët, thotë për Radio Kosovën, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

“Kosova e ka humbur betejën për investime dhe investitor të huaj, sepse ka kohë që ata nuk kanë qenë në shtetin tonë. Emërues i përbashkët i zgjidhjes së shumë problemeve në Kosovë është marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë, dhe kjo mund të jetë garanci për investitorët e huaj.

RCCOLA

Deklaratat e zotit Kurti, në këtë drejtim janë nxjerrë nga konteksti, pasi që nuk është luftë vetëm lufta frontale e armatosur, por luftë është edhe lufta politike, diplomatike apo edhe ekonomike”, tha ai.

Tuje, Gërxhaliu thotë se si pasojë korrupsionit, nepotizmit dhe burokracisë, përkundër interesimit, investitorët potencial nuk kanë investuar në Kosovë, por këtë e kanë bërë në vendet e rajonit.

Ndërkohë, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një prononcim për RTK-në, thotë se Kosova duhet të jetë më proaktive dhe më e hapur, në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja.

“Kosova duhet të hapet. Kur them këtë, e mendoj thjeshtësimin e procedurave të të bërit biznes sa më shumë që është e mundur. Bizneset e mëdha – brendet ndërkombëtare nuk vijnë këtu për të hyrë në procedura burokratike të prokurimit, ose për të pritë që një kontest i tyre të zgjidhet pas tre a më shumë vitesh nëpër gjykatat tona. Sundimi i ligjit, këtu është problemi më i madh”, tha Rafuna.

Përkundër një rritje të theksuar të investimeve të huaja direkte në Kosovë gjatë vitit 2021, vendet e rajonit si Serbia apo Maqedonia e Veriut, janë dukshëm më përpara sa i përket investimeve nga jashtë.