Uji Dea

Çka kur kinezët të “zbulojnë” Europën?

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjermania është një treg i preferuar i investitorëve kinezë. Këtë gjë e konfirmojnë edhe të dhënat, sipas të cilave del se pothuajse çdo e treta lëvizje afariste kineze në Europë ka lidhje të drejtpërdrejtë me Gjermaninë.

Çdo i pesti euro, të cilin gjatë vitit 2011 investitorët kinezë e investuan në ndërmarrjet evropiane, në fakt, ka hyrë në tregun e Gjermanisë, pohojnë analistët e Shoqatës për Hulumtimin Tregut – Price Waterhouse Coopers.

Deri më tani, kinezët kanë investuar afro 16.6 miliardë euro gjithsejtë, transmeton radio Deutsche Welle.

Sipas të dhënave, vitin e kaluar investitorët nga Lindja e Largët kanë blerë pjesërisht apo tërësisht plot 61 kompani evropiane. E kjo nënkupton se kemi të bëjmë me një numër më të madh se kurdoherë më parë. Trendi i njëjtë vazhdoi edhe në vitin 2012. Kështu, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti ishin 32 kompani evropiane që kaluan në duart e aziatikëve, ndërkohë që me një pjesëmarrje prej 28 përqind, Gjermania sërish ishte shteti që zuri vendin e parë sa i përket investimeve nga Azia.

Lëvizja më e dukshme afariste e këtij lloji sigurisht që ishte marrja nën kontroll të plotë nga konkurrentët kinezë të Sany Heavy Industry e prodhuesit të njohur gjerman të pompave të betonit Putzmeister. Deri më tani, ky është investimi më i madh individual i kinezëve në Gjermani, ngase kap vlerën e 525 milionë eurove.

Megjithatë, “në Gjermani ende nuk ka mega-investime të tjera”, thekson Jens-Peter Otto, drejtor i grupit afarist kinez në Price Waterhouse–Coopers. Kjo për shkak se investimet në ndërmarrjet e huaja vazhdojnë të mbesin vetëm në lëmin e repromaterialeve dhe energjisë.

“Mirëpo, ka pak investime të tilla që i dedikohen Europës, sepse ato kryesisht shkojnë në Azi, Rusi, Amerikë dhe Kanada”, thotë Otto.

Me fjalë të tjera, kinezët ende pritet që ta zbulojnë Europën. Deri atëherë, sipas mendimit të Otto, Gjermania është treg i tyre i preferuar, kryesisht për shkak të industrisë së automobilave dhe makinave, por edhe për shkak të cilësisë së lartë të prodhimeve “Made in Germany”.

Po ashtu, kinezëve iu përgjigjet shumë lidhja e tyre me kompani të njohura, sikurse në rastin e Putzmeister, sepse prej tyre mund të mësojnë për procesin e prodhimit, dhe që, nëpërmjet tyre, të hyjnë në tregjet evropiane.

Kriza financiare dhe ekonomike e cila ka goditur Europën, për investitorët nga Azia parqet një rast ideal afarist.

Mobi Casa

“Në vitet 2008 dhe 2009, kur gjërat në Gjemani filluan të merrnin tatëpjetën, shumë kompani gjermane u përballën me probleme të shumta financiare. Dhe, kinezët e shfrytëzuan këtë rast”, sqaron Otto.

Me probleme kryesisht përballeshin kompanitë e mesme, të cilat në Gjermani në 95 përqind të rasteve janë në pronësi familjare. Në këto kompani, lidhjet familjare, miqësore, apo të tjera, mes pronarëve dhe të punësuarve ofrojnë më shumë siguri dhe një motivacion më të madh për punë. Por, a do të humbin këto përparësi atëherë kur kinezët të marrin timonin e tyre?

Teorikisht, kjo gjë është e mundur, mendon eksperti për Kinën, Jens-Peter Otto.

“Por, ne po e vërejmë se sa i përket procesit të udhëheqjes, kinezët janë mjaft të rezervuar. Tash pë tash s’mund të themi se kultura ekzistuese e punës këtu do të shkatërrohet”, thekson ai.

Shuma e përgjithshme e investimeve kineze në Gjermani ende nuk është alarmuese. Në vitin 2010 bëhej fjalë për investime nën një miliardë euro.

Nga ana tjetër, investimet e drejtpërdrejta të Japonisë ishin 15 herë më të larta, konstaton radio Deutsche Welle.

Frika nga kinezët

Në Aichtal, ku ndodhet selia e kompanisë Putzmeister, përfaqësuesit e koncernit kinez Sany Heavy Industry pothuajse nuk përzihet fare në procesin e udhëheqjes së kompanisë.

Por, shembulli i Putzmeister ka filluar që dalëngadalë të përhapë frikën se kompanitë e mesme gjermane do të mund të shiten që të gjitha. Përkundër kësaj, Jens-Peter Otto mendon se kjo është një frikë e pabazuar.