Çka kanë të përbashkët Azem Syla, Ukë Rugova dhe Bali Muharremaj?

Azem Syla e Ukë Rugova e kanë një “jaran” në Kuvendin e Kosovës. Është ky Bali Muharremaj. Ajo që e lidh këtë treshe, është heshtja. Asnjëri nga ta nuk kanë folur ndonjëherë në Kuvend. Por, ndryshe nga dy të parët, Muharremaj ka bërë një hap para. Për herë të parë, për Tribunën, ai i ka treguar arsyet pse nuk ka folur kurrë në ‘tempullin’ e demokracisë. Duke e pranuar se është më pasivi në mesin e 120 deputetëve tjerë, arsyetohet se nuk është tip që flet shumë, por me shumë njihet si tip praktik. “Jam prej principit asi lloj. Pra nuk kam shumë qejf me fol, por jam më i mirë në punë praktike dhe do të vazhdoj të punojë me shumë në gjëra konkrete”, ka thënë ai. Megjithatë Muharremaj thotë se nuk është detyrë e vetme e deputetit vetëm të flasë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, por sipas tij, detyrë e deputetit është që fjalët t’i shndërrojë në vepra, shkruan gazeta “Tribuna”.
“Nëse flasim për deputetët aktivë, ju e dini se gjashtë deputetë që kanë qenë me aktivë mandatin e kaluar, nuk kanë arritur të fitojnë mandat për këtë legjislaturë, pra nuk është e thënë që një deputet të flasë në parlament dhe të këtë të sigurt se do t’i marrë votat . Për mua është e rëndësishme që çdo deputet i Kuvendit të jetë afër qytetarit të merret me hallin e tyre dhe t’i ndihmojë për aq sa ka mundësi”, ka thënë deputeti Muharremaj.
Edhe pse ka qenë shumë pasiv gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës, Muharremaj vlerëson se i ka përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve të komunës së Therandës. Ai thotë se që tri vjet rregullisht çdo të hënë ka qëndruar në zyrën e dedikuar për deputetët e kësaj komune, me ç’rast është takuar me qytetarë të shumtë me të cilët ka diskutuar për problemet dhe hallet e tyre.
“Ma merr mendja se e kam përfaqësuar në mënyrë të denjë interesin e qytetarëve të Therandës. Jam marrë me interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim partie politike, mirëpo t’ju them të drejtën nuk e kam shprehi që të dal dhe të flas në foltore. Qëllimi im është më shumë të dal e të punoj me punë konkrete, sesa me dal e me shitë oratori në foltore të Kuvendit të Kosovës”, ka shtuar ai.
Një arsye tjetër sipas Muarremajt në pasivitetin e tij, mund të këtë ndodhur edhe përgatitjet për zgjedhjet e fundit lokale, në të cilat ai ishte kandidat për kryetar të komunës së Therandës nga AAK. “Ndoshta ka ndikuar edhe dy muaj fushatë si kandidat për kryetar të Komunës, mirëpo besoj se pas Vitit të Ri do të kem më shumë debate nga ana ime”, ka thënë Muharremaj.
Ndonëse është ndër deputetët me pasivë në Kuvend, ai thotë se nuk ka marrë asnjë kritikë nga ana e drejtuesve të partisë. “Edhe pse nuk mund të jap mendimin për partinë, besoj se është e kënaqur me punën time në Kuvend… Deri tani nuk kam pasur asnjë vërejtje, por mund të marr vërejtje në të ardhmen, varet tash”, thotë ai. Deputeti Muharremaj është në dilemë nëse do të kandidojë prapë për deputet të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo kjo, sipas tij, varet edhe nga dega e AAK-së në Therandë.
“Disponimi është 50-50. Por varet nga strukturat e partisë. Nëse vendosin strukturat e partisë që unë të rikandidoj, atëherë do ta respektoj atë vendim. Mirëpo nëse është dikush që është më i mirë dhe më i shkathtë në degën e Therandës, atëherë pse mos t’i japin përparësi që ai të zgjidhet deputet në parlament të Kosovës”, thotë ai. Përveç, Bali Muharremajt, Instituti Demokratik i Kosovës, në fletnotimin e saj, ka vlerësuar se edhe deputetët Ukë Rugova e Azem Syla, janë në mesin e deputetëve që asnjëherë nuk dalë në foltoren e Kuvendit të Kosovës.