RCCOLA

Çitaku, viziton edhe Kllokotin

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Kllokot – Ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku, ka vizituar të premten Komunën e Kllokotit, ku me kryetarin e kësaj komune Sreqka Spasiqi dhe nënkryetarin Hasan Rashiti, ka diskutuar për procesin e ri atdhesimit, projekteve që janë në realizim në këtë komunë si dhe për çështje tjera që janë në funksion të rritjes së efikasitetit në punë të qeverisë komunale.

Ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se edhe pse Kllokoti nuk ka problem me çështjen e personave të riatdhesuar, pasi nga kjo komunë nuk ka asnjë rast, ka shfrytëzuar vizitën që me kryetarin e komunës të diskutoi për çështjet tjera që janë në interes të integrimeve evropiane.

Ajo ka thënë se ministria që drejton është thellësisht e interesuar që të ndihmoi komunën e Kllokotit, për zgjidhjen e problemit të përfundimit të punimeve rreth ndërtesës së re të komunës, problemeve që ka kjo komunë me pronat që menaxhohen nga AKP dhe për çështje tjera.

UBT

“Jemi të interesuar që të mbështesim komunën e Kllokotit, në zgjidhjen e problemeve, pasi integrimet evropiane nuk bëhen në Bruksel, por këtu në komunat e Kosovës”, ka thënë Çitaku.

Kurse kryetari i komunës, Sreqko Spasiq, është shprehur se ndihet i privilegjuar që sot pati rastin të pres në një takim pune ministren e integrimeve evropiane, ministren Çitaku, pasi kjo është vizita e parë e nivelit të lartë që i bëhet atij si kryetar komune.

Ai ka thënë se ministren Çitaku e ka njoftuar me problemet dhe brengat e qytetarëve të Kllokotit, dhe ka kërkuar mbështetje për zgjidhjen e këtyre problemeve duke filluar nga objekti i administratës komunale e deri tek borxhet e mëdha që ka trashëguar komuna nga qeverisja e kaluar ka njoftuar për rajonipress zëdhënësi i komunës së Kllokotit, Aziz Zuka./rajonipress/