Çitaku: Nuk ka pajtim me Serbinë, pa llogaridhënien e tyre

Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se nuk mund të ketë pajtim me shtetin fqinjë Serbinë, pa llogaridhënien e tyre. Çitaku këto komente i ka bërë në fjalën e saj në Këshillin e Sigurimit, ku po diskutohet për raportin tremujor për Kosovën.
“Është viti 2016 dhe nuk është më 1999, Kosova nuk është më e administruar nga Kombet e Bshkuara nga 17 shkurt 2008. Kosova është shtet i pavarur sovran dhe i njohur nga shumica e shteteve të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Çitaku.
“Por në vijmë çdo tre muaj këtu dhe dëgjojë nga kolegët nga Serbia në një univers paralel ku Kosova nuk ekziston si shtet. Këtu ku agresori është bërë i shtypuri dhe Millosheviçi është bërë hero”.
“Kurse lëvizja që ka qenë çlirimtare është bërë terroriste”, është shprehur ajo.
“Asnjë shtet nuk mund të shkelë integritetin territorial për të kryer krime, spastrim etnik, shpërngulje masive dhe t’i diskriminojnë ata në bazë të sovranitetit shtetëror. Ajo që ka ndodh në Kosovë është se popullata e viktimizuar e ka kërkuar pavarësinë”.
Çitaku në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka folur edhe për krijimin e Gjykatës Speciale.
“Në bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare kemi krijuar edhe Gjykatën Speciale për të kërkuar drejtësi për të gjithë. Në në Kosovë nuk i frikësohemi drejtësisë, sepse s’kemi asgjë për të fshehur. Kauza dhe lufta jonë ka qenë e drejtë. Serbia në anën tjetër ka bërë çmos përveç, t’i ndjek kriminelët”, njofton Klan Kosova.
“20 mijë gra janë dhunuar në Kosovë gjatë luftës, kurse asnjë i akuzuar”.
“Mijëra të zhdukur dhe ka gjurmë të qarta të përgjegjësisë të komandës shtetërore që i fsheh këto gjurmë”.
“Qeveria e Serbisë madje ka ngritur objekte mbi varreza masive që t’i fesh ato. Nuk mund të ketë pajtim pa llogaridhënie. Derisa ne rikonfirmojmë zotimet tona për dialog ndërshtetëror. Ne nuk jemi të kënaqur me dinamikat e zhvillimit të marrëveshjeve”, ka thënë ambasadorja Vlora Çitaku.