Çitaku: Ka “vdekur” koha e azilit

E pranon se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaft për ta përmirësuar gjendjen ekonomike dhe mirëqenien sociale, por atyre qytetarëve të cilët nga kriza po ia mësyjnë shteteve perëndimore për të kërkuar azil, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ua bën me dije se azilantët do të kthehen prapa në Kosovë.
Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Çitaku ka treguar se tashmë kanë nënshkruar marrëveshje për riatdhesim me shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Në momentin kur ata do të kërkojnë azil menjëherë do të kthehen mbrapa”, ka thënë ajo për të shtuar se secili qytetar që kërkon azil në një shtet perëndimor i bën dëm të madh procesit të liberalizimit të vizave.
Duke mos e mohuar faktin se qytetarët e vendit po ikin me të madhe, Çitaku thekson se në shumicën e takimeve që ka me zyrtarë të shteteve perëndimore e shprehin këtë shqetësim.
Ajo rikujton se Komisioni Evropian herë pas here e trajton seriozisht rikthimin e regjimit të vizave për vendet e rajonit pikërisht për shkak të azilkërkuesve nga këto vende, ndërsa thekson se nëse do të ndodhë një gjë e tillë, ajo do të reflektohet negativisht edhe te Kosova.
Zëri: Së fundi është raportuar për fluks të madh të qytetarëve që kërkojnë azil në shtetet e Bashkimit Evropian. Sa e dëmton kjo Kosovën tani kur iu ka dhënë MSA-ja?
Çitaku: E para që duhet të them është se unë ndjehem jashtëzakonisht keq që pesëmbëdhjetë vite pas lirisë dhe pesë vite pas pavarësisë në Kosovë ka ende qytetar, ka ende të rinj e të reja që të ardhmen e tyre nuk e shohin në Kosovë. Unë jetojë në këtë vend dhe unë jam shumë e vetëdijshme për problemet e shumta me të cilat ballafaqohet Kosova, e di që ka papunësi, e di që ka varfëri, mirëpo azili nuk është më opsion.
Ne duhet t’ua themi shumë qartë bashkëqytetarëve tanë që çdo tentim për të emigruar ilegalisht edhe për të kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian do të përfundojë me kthim prapa në Kosovë. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshje për riatdhesim me shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe në momentin kur ata do të kërkojnë azil menjëherë do të kthehen mbrapa.
Nuk do mend që ky fluks i migrantëve ilegal e dëmton shumë sidomos procesin e liberalizimit të vizave. Në listën e kritereve që kemi pranuar, kriter kyç është ulja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova. Ne mund të përmbushim të gjitha kriteret tjera, por në rast se trendi i azilantëve mbetet ky që është dhe nuk zbritet, atëherë nuk ka mëdyshje që procesi dëmtohet.