Çitaku: Debati për gazin amerikan është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka deklaruar se çështja e gazit amerikan nuk duhet të shihet si një projekt thjesht teknik, por si një vendim me rëndësi strategjike për të ardhmen e vendit, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se Kosova po përballet me një moment të rëndësishëm sa i përket sigurisë energjetike dhe pozicionimit të saj gjeopolitik.
“Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës. Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë. Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike për dekadat që vijnë”, tha ajo.
Sipas saj, pavarësia energjetike është e lidhur drejtpërdrejt me pavarësinë shtetërore dhe aftësinë e shtetit për t’u përballur me sfida të ndryshme.
“Në botën e sotme që po ndryshon vazhdimisht, pavarësia energjetike është pjesë e pandashme e pavarësisë shtetërore. Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tankse dhe me armë. Ato zhvillohen me energji, me siguri furnizimi, me kontroll mbi burimet strategjike dhe me aftësinë e një shteti për t’i mbrojtur qytetarët nga kriza. Prandaj, kur flasim për gazin amerikan, nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri, për ekonomi, për diplomaci, për partneritet strategjik, për të ardhmen e Kosovës”, u shpreh Çitaku.
Ajo kritikoi qasjen e deritanishme të Qeverisë ndaj projekteve energjetike, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për pengimin e iniciativave që, sipas saj, do t’i siguronin Kosovës pavarësi më të madhe energjetike.
“Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka sabotuar aktivisht, ndonjëherë edhe dhunshëm, çdo projekt i cili do t’i garantonte Kosovës pavarësi energjetike. E sot po i shohim rezultatet e kësaj politike. Kosova po e paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë, importi i energjisë elektrike është shumëfishuar, barra mbi familjet kosovare është rënduar, bizneset po dëmtohen dhe faturat po janë gjithnjë e më të papërballueshme”, deklaroi ajo.
Çitaku tha se Kosova nuk duhet të mbetet jashtë projekteve strategjike energjetike që, sipas saj, mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ndërkohë që vendet rreth nesh po ndërtojnë lidhje të reja energjetike, po diversifikojnë furnizimin dhe po forcojnë sigurinë e tyre, vetëm Kosova ka mbetur jashtë. Vetëm Kosova vazhdon të refuzojë një mundësi të artë që aleati ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë mbështetur vazhdimisht”, tha ajo.
Duke folur për angazhimin e PDK-së, Çitaku premtoi se projekti do të rikthehet në agjendën shtetërore nëse partia e saj merr drejtimin e qeverisë.
“Partneriteti me ShBA-të nuk matet vetëm me deklarata. Ai matet me vendime konkrete, me projekte konkrete. Prandaj, dua të jem e qartë: Partia Demokratike e Kosovës do ta rikthejë menjëherë këtë projekt në agjendën shtetërore sapo të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e qeverisë. Kosova do të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit e jo spektatore e tyre. Kjo është rruga që zgjedhim ne: rruga e partneritetit, rruga e sigurisë, rruga e zhvillimit, rruga e Kosovës krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi Çitaku.


