Çitaku akuzon Kurtin se po ndihmon Prokurorinë e Hagës kundër Thaçit e Veselit

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë se po vepron me vetëdije në dëm të figurave kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Sipas Çitakut, Kurti ka shkuar aq larg sa të konsiderojë vizitat ndaj të akuzuarve në Hagë si “marrje instruksionesh”, gjë që ajo e cilëson si pjesë të një fushate të qëllimshme për denigrimin e atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
“Nuk është as politikë, as rastësi. Është qëllim i pastër”, ka shkruar Çitaku në një postim në Facebook, duke shtuar se Kurti nuk e kupton konceptin e miqësisë, sepse, sipas saj, “nuk ka as edhe një mik të vetëm”.
Ajo ka kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e përshkruar atë si një subjekt të mbyllur, ku nuk tolerohet mendimi ndryshe dhe ku, siç tha ajo, “zëri i vetëm që dëgjohet është ai i Kurtit”.
Në kundërshtim me këtë, Çitaku ka vlerësuar PDK-në si një parti me demokraci të brendshme, ku ekziston hapësirë për mendim kritik dhe debat.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Kurtit lidhur me udhëheqjen e PDK-së, Çitaku ka theksuar se “kryetar e kemi Memli Krasniqin”, të cilin e përshkroi si një lider me legjitimitet dhe respekt të plotë brenda partisë.
“Ti vazhdo qaj e vajto, se për rezultate nuk ke çka flet”, përfundon reagimin e saj Çitaku, duke akuzuar Kurtin për mungesë të arritjeve konkrete gjatë qeverisjes së tij.