RCCOLA

Cinizmi i Gradimir Mikiqit dhe pozita e autoritetit shtetëror

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ekspozimi me euristikën e grindjes, afeksionit, provokimeve, subversionit e insinuatave të përfaqësuesve politik të minoritetit serb në Republikën e Kosovës, e ka vënë në sprovë pozitën e autoritetit shtetëror përballë qëndrimeve të tilla. Vazhdimësia e cinizmit dhe ironisë së drejtuesve komunal të këtij minoriteti ndaj udhëheqësve të mekanizmave shtetëror të Republikës së Kosovës, përbën një hallkë sabotazhi në zinxhirin separatist të kësaj pakice me orientim kah Beogradi vlerëson Fitim Rifati.

Sipas Fitim Rifatit ky element destruktiv në mënyrë demostrative mohon edhe simbolet shtetërore, të cilat përpos ndërtesave të stacioneve policore nuk mund t’i hasim edhe nëpër ndërtesa komunale të komunave të ashtuquajtura serbe. Mospranimi i autoritetit shtetëror përbrenda territorit të shtetit, nënkupton ekzistimin në sipërfaqe të armiqve të tij dhe problemeve serioze, të cilat cenojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e shtetit. Përkundër kësaj, prezenca e simboleve shtetërore të Republikës së Serbisë përbrenda institucioneve të shtetit praktikisht krijon përshtypjen e funksionimit të mekanizmave dyshtetërorë përbrenda territorit të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, kryetari i Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq, i cili para disa muajsh pretendoi reinkarnimin dhe zyrtarizimin në këtë komunë edhe si shenjë komunikacioni të satrapit-kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, tashmë në ekstazën e deklaratave dhe cinizmit institucional arsyeton në mënyrë të pa arsyeshme mungesën e mjeteve materiale në arkën e kësaj komune për të siguruar flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës dhe gjoja për të vendosur atë para ndërtesës së komunës të cilën ai e drejton. Për më keq, kjo deklaratë fyese ndodhi sot para kryeministrit të shtetit dhe shoqëruesve të tij institucional dhe pikërisht para ndërtesës së Komunës së Ranillugut në një prononcim dhënë mediave pas mbarimit të vizitës së kryeministrit.

Mobi Casa

A janë indiferenca, heshtja, subalternimi dhe elasticiteti provat më adekuate që tregojnë pozitën e autoritetit shtetëror karshi vijës së prononcimeve të tilla? Cila është gjuha dhe kultura e komunikimit që drejtuesit e shtetit duhet të përdorin ndaj elementëve të tillë, që i ngarkon dhe obligon ata të pranojnë dhe respektojnë kushtetutën, ligjet, prijësit dhe simbolet e Republikës së Kosovës? Për analogji, çfarë do të ndodhte në Luginë të Preshevës në rast se cenohet autoritetit shtetëror nga përfaqësuesit e shqiptarëve në institucionet komunale?

Konsiderojmë se ironia dhe përbuzja e drejtpërdrejtë ndaj simboleve dhe drejtuesve institucional të shtetit nga elementë të tillë separatistë, është turp në radhë të parë ndaj autoritetit shtetëror dhe absurd për shtetasit e tij. Ky nënshtrim i përfaqësuesve të shtetit ndaj këtyre deklaratave neveritëse e patetike është i papranueshëm për shtetasit e Republikës së Kosovës me vetëdije shtetërore dhe përparimtare. Edhe pse kemi pranuar kompromise të pa arsyeshme siç bie fjala formimi i komunave “fshatare” që thellojnë hendeqet, pavarësisht diversitetit kulturor, kombëtar, politik dhe ideologjik, po provohet se vendimet e tilla për konsekuencë në këtë proces kanë prodhuar uljen e autoritetit, prishjen e imazhit të shtetit dhe forcimin e armiqve të tij.

Duke vepruar me forcë kushtetuese e ligjore, ky fenomen destruktiv i destinuar në thellimin e divergjencave dhe nxitjen e tensioneve, duhet të frenohet pavarësisht revoltave të brendshme apo të jashtme ka thënë historiani i njohur Fitim Rifati./rajonipress/