UBT

Cila tabelë e regjistrimit të veturës ‘aksidentoi’ demokracinë dje në Gjilan?!

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Avni Rudaku – Të mërkurën e kësaj jave, kandidati për kryetar komune, Ismajl Kurteshi bashkë me aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, po ua kujtonte qytetarëve, opinionit të gjerë publik dhe pushtetmbajtësve aktualë, për premtimet të cilat ishin thënë se do të realizoheshin në mandatin e parë e të dytë të qeverisjes lokale të PDK-së.

Aktiviteti ishte planifikuar të mbahet pranë objektit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, por aktiviteti nënkuptonte edhe shpërndarjen e fletushkave. Fletushkat dhe panot e vendosura në qendër të qytetit, kishin përmbajtje legjitime dhe krejt praktike, rrjedhimisht premtimet e parealizuara të PDK-së dhe kryetarit të komunës së Gjilanit, ishin hequr të gjitha me shpejtësi drite.

Në dy kolonat vertikale të pankartave, në njërën kolonë po shënoheshin premtimet e bëra, ndërsa në kolonën tjetër tregohej se deri në çfarë shkalle janë realizuar këto premtime. Nuk ishin fletushka ilegale, as nuk kishin përmbajtje të një Organizate në Ilegalitet.

Në këto fletushka që jepeshin në duart e qytetarëve dhe panot e vendosura statike, nuk kishte tekste eksplicite, as fashiste, as raciste, as ksenofobiste, as homofobike, as nuk ishin parulla dhe slogane të grupeve ekstremiste djathtiste si Ku Klux Klan në SHBA, as pamfleta të grupeve neonaziste në Gjermani, as tekste të tipit të Breivikut norvegjez. Ishin vetëm disa pano me premtimet që i kishte thënë vetë kryetari i komunës, Qemajl Mustafa, të përforcuara edhe nga kryeministri i njohur për anashkalim të Anamoravës, Hashim Thaçi.

Së këtejmi, pra bëhet fjalë për një aktivitet të opozitës lokale si Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan. Ishte një aktivitet që në tipin më të rëndomtë të demokracisë pluraliste, lejohet dhe është i mirëpritur. Prandaj, akti i heqjes së panove brenda një periudhë aq të shkurtër pasi u vendosën nga aktivistët tanë, nga kompania e sigurimit e kontraktuar nga zyra e Kryetarit të Komunës, tregon për një rezistencë psikanalitike të pushtetit aktual, për të hequr, zhdukur, shqyer dhe eliminuar, secilën kritikë apo kujtim që ringjallë premtimet e pamatura që janë bërë në të kaluarën e kësaj qeverisjeje lokale dhe përpjekja që me çdo kusht të mbytet kujtesa dhe zëri i opozitës.

Pra, rezistenca shfaqet ku ka dhembje. Sa më e madhe dhembja e shqetësimi, aq më rezistente bëhet akti. Është e trishtueshme teksa të vjen informacioni se vetura me regjistrim 06 873 – CB (OMEGA), përkatësisht personat të cilët kanë hequr këto pano nga qendra e qytetit, janë njerëz të njohur të kryetarit të komunës me të cilët bashkëpunon. Na vjen keq që edhe herë të tjera, teksa protestonim para objektit të kryetarit të komunës, na dilnin disa pjesëtarë të sigurimit dhe na pengonin në aktivitet.

Është krejt e natyrshme realizimi i sigurisë së objekteve publike dhe komunale, por kjo vetëm në suaza të cenimit të integritetit fizik të objekteve apo personave zyrtarë, por jo edhe të pengohej manifestimi demokratik i opozitës lokale me pankarta e mbishkrime, sepse bie ndesh me të gjitha normat e sjelljes demokratike. Tek e fundit, po nuk u pajtove me ato që shkruan Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, apo se paskan bërë dëme teksa ia kanë sjellur në mendje qytetarët të Gjilanit për të gjitha premtimet të cilat janë thënë dikur në fushata elektorale të PDK-së dhe nga kryetari Mustafa, pse të mos ngelet në vullnetin e qytetarëve për t’i gjykuar kritikat e opozitës, nëse janë të drejta apo të padrejta?!

Po ashtu, me cilën rregullore të komunës, me cilin nen të Statutit, me cilin nen të Ligjit mbi Vetëqeverisjes Lokale dhe me çfarëdo rregullore tjetër, kompania e kontraktuar për sigurimin fizik të objekteve të komunës, ka të drejtën e autorizimit për të shqyer posterët e opozitës?

Me cilin akt, nënakt apo rregullore, qeverisja lokale i cyt punonjësit e kompanive të sigurimit për të hequr pllakatin e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE?! Prandaj, ne konsiderojmë se kjo sjellje e qeverisjes lokale, që me çdo kusht ta ketë ndjeshmërinë ndaj kritikës opozitare, duhet të ndalet, sepse nuk ka ndodhur vetëm njëherë, por thuajse në secilin aksion dhe aktivitet të opozitës lokale.

ARKATANA

Po ashtu, mbajmë në mend teksa aktivistët tanë patën vendosur një letër A/3 me mbishkrimin: “Ky dru i ka kushtuar komunës 360 euro!”, kryetari i Këshillit Qendror të Veprimit Lokal, pati dalur në terren për t’i hequr të gjitha këto mbishkrime! Me cilën të drejtë mund të hiqen këto pano?! Ironike do të ishte sikur dikush të thoshte: “I ka hequr sepse e kanë shëmtuar qytetin!”, por njoftimet për diskot nuk i kanë hequr!

Kuptohet, njoftimet se filan këngëtari apo këngëtareje do të jetë në këtë klub nate, nuk e shqetësojnë pushtetin aktual në komunë, por vetëm ato njoftime që kritikojnë mënyrën e qeverisjes lokale. Pra, nuk janë parimorë dhe shfaqin elemente të metamorfozës së shprehjes së lirisë së mendimit opozitar.

Përpjekje për të dalur te pika

Qeverisja lokale në Gjilan, me veprimet e saj duke instrumentalizuar kompanitë e sigurimit për të penguar aktivitetet e opozitës lokale, paraqet skandal për demokracinë rioshe në komunë. Edhe kompanitë e sigurimeve që kanë vendosur të merren me këtë veprimtari, duhet ta kenë të qartë se është shumë me rëndësi që të mos bien peng të politikave për ‘kujdestari të opozitës’, por të kryejnë vetëm punët e cekura në kontratë.

Përndryshe, pushtetarët shkojnë e vijnë, ndërsa kompanitë e sigurimeve duhet të kenë vizion të zhvillimit profesional në fushën e sigurimeve dhe qëndrueshmëri në biznese, në mënyrë që të mos diktohen nga politika ditore, apo të lidhen personalisht me këtë e atë qeverisje lokale, sepse nëse deri dje kanë bashkëpunuar me Qemajl Mustafën, nesër ikën ky e vjen tjetri.

Të bësh veprime që cenojnë fushë veprimtarinë e opozitës, dëmtojnë edhe imazhin e kompanisë, sepse krijojnë përshtypje në qendër të qytetit sikur i takojnë këtij apo atij krahu partiak! Po ashtu, kompanitë serioze duhet të zbatojnë vetëm ato për të cilat nënshkruajnë detyrimet e caktuara, ngase kjo i ngjason atyre situatave banale të tejkalimit të kryerjes së obligimeve për punë të caktuara me marrëveshje. P.sh., ka ndodhur që disa punëdhënës të lokaleve shërbyese, kur nuk kanë pasur punë, i kanë ‘shtrënguar’ punëtorët-kamarierë që të çajnë drunjtë për sezonin dimëror apo kryerjen e punëve shtëpiake të pronarit!

Apo, njihet edhe ai rasti banal, kur mësimdhënësit duke shfrytëzuar pozitën e tyre në mënyrë autoritariste, i kanë porositur asistentët e tyre për t’i blerë për ta byrekët e preferuar në byrektoret e qytetit! Prandaj, çdo tejkalim i kompetencave dhe detyrave nga kompanitë e sigurimit të objekteve të komunës, është e papranueshme, jo etike dhe lëndon procesin demokratik në komunë. Përndryshe, larg qoftë ideja që pozita të pajtohet gjithqysh me opozitën, e lëre më opozita me pozitën! Pra, tabela e regjistrimit të veturës që e lakuam më sipër, ‘aksidentoi’ demokracinë dje në Gjilan?!

Prandaj, në këtë ‘aksident’ përgjegjësia kryesore bie mbi qeverisjen aktuale lokale. Le të shpresojmë që këso aksidentesh të hiqen nga kjo praktikë e ‘ngasjes antidemokratike’ në komunën e Gjilanit! Tekembramja, le të shprehen njerëzit dhe le të informohen qytetarët se çka mendon opozita! Ndërsa ndalja e cytjes së kompanive të sigurimit të objekteve, duhet të ndalet menjëhershëm nga komuna dhe të kërkohet falje për veprimet e djeshme e të mëhershme! Opozitën nuk mund ta ndalin jo vetëm tipet e veturës “Omega”, por as makinat e blinduara!