RCCOLA

Challandes: Kemi disa futbollistë në listë, nëse do të kishim dy “Muriqi”, do të ishte më ndryshe

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ndryshe nga viti i kaluar, kur rezultatet dhe paraqitjet ishin në nivelin më të mirë të mundshëm, Përfaqësuesja e Kosovës këtë vit ishte poshtë pritshmërive.

Skuadra që drejtohet nga trajneri zviceran Bernard Challandes pati një kampanjë të dobët në Ligën e Kombeve, duke e mbyllur grupin C3 me vetëm një fitore, dy barazime dhe tri humbje.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Kosova e humbi edhe rastin e artë për t’u kualifikuar në kampionatin evropian “Euro 2020” përmes fazës “play-off” të Ligës së Kombeve, ku në muajin tetor u mposht nga Maqedonia e Veriut (2:1) në Shkup.

Gjithë kësaj i kontribuoi më së shumti situata me pandeminë COVID-19, e cila e ka kapluar globin, por edhe futbollistët e lënduar, që e lanë Kosovën të hendikepuar në ndeshjet më të rëndësishme të këtij viti, derisa tifozët kanë mbetur plotësisht të zhgënjyer.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, në një intervistë për “Zeri.info” është rrëfyer gjerë e gjatë në lidhje me situatën e tij shëndetësore pas infektimit dhe shërimit nga COVID-19, atmosferën te Përfaqësuesja, prurjet e reja, prezencën e Mirlind Dakut dhe Armend Thaqit, të ardhmen e tij, si dhe për “problemin” me futbollistin pejan, Bernard Berisha.

Mobi Casa

Trajneri zviceran ka komentuar edhe ardhjen e futbollistëve të rinjë në të ardhmen e afërt, derisa thotë se ka disa futbollistë që i ka në “listë”.

“Nuk është çështja vetëm të sjellim futbollistë të rinj, duhet të kemi cilësi. Nëse gjejmë futbollistë më të mirë nga ata që kemi, atëherë kjo është gjë e mirë. Nëse një futbollist luan për Gjermaninë U-21, është kandidat për ne, por jo ndonjë futbollist që luan në divizion të ultë”, deklaroi Challandes për “Zeri.info”.

“Unë nuk kërkoj futbollistë të tjerë, unë shpresoj se ne mund të marrim lojtarë të mirë për Kosovën. Punë kryen vetëm cilësia, kjo e shton konkurrencën. Nëse do të kishim më shumë lojtarë cilësorë ndaj Maqedonisë së Veriut ndoshta do të fitonim. Por pa Vedat Muriqin nuk është skuadra e njëjtë. Ne kemi vetëm një Muriq. Nëse do të kishim dy “Muriq”, do të ishte më ndryshe. Por kemi futbollistë që luajnë në kampionate të mira”, tregoi ai.

“Më e rëndësishmja është të luash dhe jo të jesh në skuadra të mira. Ne si Përfaqësuese kemi tërhequr interesimin e futbollistëve të mirë. Ka shumë futbollistë të mirë që mund ta zgjedhin Kosovën. Tani i kam përcjellë të gjithë futbollistët kandidatë për Kosovën, e kam listën e pesë ose gjashtë lojtarëve që nuk luajnë për ne, por që mund të jenë kandidatë për të ardhmen. Mund të them se jam i interesuar në këtë drejtim. Ne do të kemi skuadër të mirë në mars”, shtoi Bernard Challandes. /Zeri.info