RCCOLA

Çfarë ka porositur von der Leyen duke folur për njohje de facto të Kosovës?

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Pas vizitës disaditore të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në rajon, duket se deklarata e saj nga Prishtina drejtuar Serbisë – se pritet që Serbia të pranojë njohjen de facto të Kosovës, të cilën presidenti serb Aleksandar Vuçiq deri më tain e ka refuzuar vazhdimisht si mundësi – duket se ka bërë jehonë më të madhe. Analistët serb po përpiqen ta interpretojnë “këtë befasi për Serbinë” duke pretenduar se askush nuk e di saktësisht se çfarë do të thotë mesazhi i saj për njohjen de facto.

Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin Vuçiq, Von der Leyen ka sqaruar fjalët e saj nga Prishtina, duke thënë se në të vërtetë i referohet zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila parasheh hapa të ndryshëm, njohjen e dokumenteve, sovranitetin territorial, mos pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare…, por edhe formimin e Asociacionit.

Me këtë rast, Vuçiqi reagoi me retorikën e tij të njohur demagogjike duke pretenduar se “Serbia është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe se i di obligimet që do t’i përmbushë”, por edhe se është e qartë se çfarë nuk mund të bëjë, duke theksuar se për Serbinë njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje.

Duke interpretuar mesazhin e von der Leyen, i cili, sipas portalit serb “Kosovoonline” është në kundërshtim me “qëndrimin e prerë” të Serbisë, profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, ka thënë për këtë portal se “askush nuk e di saktësisht se çfarë nënkuptohet me mesazhin që Presidentja i Komisionit Evropian i dërgoi Serbisë për pritjet për njohjen de facto të Kosovës, por që ajo mund të shihet në bazë të pikave të dakorduara me planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit”.

UBT

“Për herë të parë e dëgjuam këtë term në deklaratën e tre liderëve më të fuqishëm të BE-së, kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni. Askush nuk e di se çfarë do të thotë saktësisht, por në bazë të pikave për të cilat tashmë është dakorduar në marrëveshjen gjermano- franceze dhe aneksin në Ohër, mund të supozojmë se bëhet fjalë për pranimin e dokumenteve të lëshuara nga institucionet e Kosovës, pastaj prezantimin e Kosovës pa ylli dhe shenja të UNMIK-ut në forumet rajonale dhe braktisja e politikës së bllokimit të Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe të vazhdimit të fushatës për çnjohje të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Surlliq.

Për analistin serb Ognjen Gogiq, mesazhi i von der Leyen nuk është një kusht i ri, por që nga ai “lexohet” se eufemizmat dhe përpjekjet për të mbuluar diçka më nuk vijnë nga BE-ja.

“Ajo që tha ajo nuk është një kusht i ri, por në fakt ata thjesht e kanë riformuluar kushtin ekzistues. Pra, kur analizohet propozimi franko-gjerman, dmth. dokumenti Bruksel-Ohër, nëse Serbia do ta pranonte këtë dokument, nëse do t’i përmbahet dhe e respekton, ajo do t’u dërgonte mesazh të gjithëve se Serbia de facto ose në mënyrë implicite e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë Gogiq për “Kosovoonline”.