Çfarë e dallon Kosovën nga Europa?

Të hënën festohet Dita e Evropës. Deklarata e 9 majit në vitin 1950 është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.
Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.Kjo festë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë dhe kosovarët mendojnë që dallimet me evropianët janë të pakta.
Durim Kelmendi, qytetar i Republikës së Kosovës tha se vetëm mentaliteti është çfarë mund të na dallojë nga Evropa.“Mentaliteti mundet me dallu, diçka shumë nuk ma merr mendja që dallojmë”, tha Kelmendi.Ndërsa Ilir Krasniqi ka thënë për KosovaPress se vetëm vonesa për hyrje në Bashkim Evropian mund të jetë dallim, asgjë tjetër.“Vetëm pak ma vonë që na hyjmë në Evropë, s’dallojmë prej atyre”, tha Krasniqi .
LEXO EDHE: Liberalizimi i kushtëzuar
Për Arta Qerkinin janë vizat ato që e kanë bërë të dallueshme shtetin e Kosovës me shtetet e Evropës.“Kosova me shtetet e Evropës deri tani ka pas dallim shumë të madh, pasi që nuk i kemi pasur vizat, e tash po mendoj i morëm vizat edhe nuk po besoj që do të kemi ndonjë dallim të madh”, tha Qerkini.E Arjeta Miftari, thotë se Kosovës i mungojnë shumë gjëra, duke filluar nga zhvillimi ekonomik.
“Unë mendoj që Kosovën dhe Evropën i dallojnë shumë sende duke pasur parasysh, nën një, në Kosovë na mungojnë shumë sene, duke filluar nga ekonomia edhe shumë e shumë elemente të rëndësishme që e përbëjnë një shtet, kështu mendoj që dallojmë shumë”, tha Miftari.Ne si popull e duam njëri-tjetrin më shumë se sa shtetet e Evropës, sipas qytetares Lirie Gashi.
“Ka edhe anë të mira, po ka edhe anë të këqija. Normal edhe atje nuk është gjithçka mirë edhe atje kanë disa karakteristika më të mira disa edhe të këqija . Ne dallojmë ndoshta se si popull jemi pak më, po them ashtu që e duam njëri-tjetrin”, theksoi ajo.E për Arbora Bujupi është bërlloku ajo çka i dallon shqiptarët me Evropën.“Shqiptarët prej Evropës, më së shumti bërlloku”, tha Bujupi.Edhe pse Kosova nuk është ende pjesë e Bashkimit Evropian, prapë 9 majin, Ditën e Evropës e shënon si ditë feste dhe për punëtorët është ditë pushimi./zeri/