Fundamenti

Çfarë bëtë për Kumanovën?

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Dashamir Allaraj – Pse hiqeni sikur jeni dhe doni të mbroni liritë dhe të drejtat e Shqiptarëve? Ku ishit kur Kumanova u zgjua që në orët e para të mëngjesit të 9 majit nga krisma armësh të fuqishme, helikopterë dhe një situatë e tmerrshme me tymnajë e frikë? Çfarë thotë për ju studentja shqiptare që foli para mijëra protestuesve kur shprehu se “Mjaft ishte! Ju treguam se si aplikohet demokracia, ju treguam se si duket tolerance dhe ju treguam se si është bashkëjetesa..? Pse sot hiqeni sikur jemi të pandashëm dhe rëndësi për stabilitet në Ballkan, kur shqiptarët dolën dhe ju bashkuan protestës më një qëllim që dhe j’u duhet të largoheni.

Çfarë bëtë për Kumanovën kur në tmerrin e asaj që përjetuan askush nuk doli të thotë kush ishte përgjegjësi? “Lider” politik të partive shqiptare, treguan se nuk munden të përfaqësojnë , të drejtat dhe liritë e shqiptareve në Maqedoni? Sot ata ndihen të papërfaqësuar, kanë humbur shpresën dhe besimin.

Çfarë bëtë ju për Kumanovën kur lideri i LSDM-së, Zoran Zaev kur vizitoi “lagjen e trimave” j’u tha shqiptarëve; “Unë erdha në Kumanovë, po liderët tuaj?! Pasi heshtën për disa ditë deri kur zëri i ndërkombëtarëve arriti t`i zgjojë nga “haremi” i tyre, ata dolën në media dhe deklaruan se nuk kam faj dhe nuk kemi gisht në këtë akt terrorist.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se një pjesë të grupit të armatosur i ka njohur dhe ka komunikuar me ta. Ai ka deklaruar se i njihte disa prej pjesëtarëve të grupit të armatosur, prej vitit 2001, por tha se nuk mund ta kuptonte se si mundën këta njerëz të hyjnë e të rrezikojnë një lagje dhe të sakrifikojnë jetën e tyre. E ndërsa lideri I PDSH-së Menduh Thaçi, ka deklaruar se “Jam super i informuar për Kumanovën, qeveria deshi që përmes kësaj force të demonstronte fuqi, dhe kanë dashtë të tregojnë se lehtë i mposhtim shqiptarët”,. Ata që besojnë ende të këta lider politikë, lë të shpresojnë se do zbardhet e vërteta e “lagjes së trimave” edhe pse si më trimi është treguar Kryeministri Rama, ku ka paralajmëruar Maqedoninë se nuk do të integrohet kurrë në NATO dhe BE nëse shkel të drejtat e shqiptarëve.

Nuk dua të ngreh nota nocionaliste, vetëm dua që liderët tanë të sillen siç duhet për të mbrojtur të drejtën dhe liritë tona. Por unë jam i bindur se kjo klasë politikë mbarë shqiptare nuk mundet të bëj dot asgjë. Ishin po këta lider politikë që fjetën gjumë dhe bënë sehir kur shqiptarët i mbuloi ankthi dhe trishtimi akoma pa u zgjuar mirë. Unë nuk dua që nesër të përjetoje një qytet tjetër terrorin e Kumanovës, por unë dua që liderët të na përfaqësojnë siç duhet. Nuk pres që ndonjëri prej tyre cilido qoftë ai, të marrë meritat e “heroit”, por shpresoj së ka ardhur koha që të unifikohemi në një qëndrim dhe deklaratë kur vjen fjala të flitet për Shqiptarët”.

FIDANISHTJA

Dikush duhet të jap llogari, kushdoqoftë ai. Janë banorët e mjerë që po paguajnë faturën e terrorit, trishtimit dhe dëmeve të pësuara.

Ajo që përjetuan shqiptarët në Kumanovë, nuk mund të mësohet me disa kronika, artikuj apo dokumentare që jepen mbi këtë ngjarje. Ajo që ata përjetuan, nuk mund të harrohet me disa kritika apo presione nga liderët politik. Ata që ngrihen në mëngjes dhe shikojnë se qyteti, lagjja e tyre kumëzhin nga terrori dhe mbi fytyrat e fëmijëve ngrihet paniku, vetëm ata që vrapojnë për t’u drejtuar ‘skutave’ me një qëllim të shpëtojnë jetën e tyre, mbi të gjitha të fëmijëve të tyre. Ata që u ngritën të tmerruar përjetuan një ndjenjë, që të shkakton dhembje shpirtërore, që të prek thellë në ndjenja a në sedër që të lëndon. Identitete vrastare do t`i quante Amin Maluf.

Duket se jemi duke ecur drejt përparimit historik për të gjithë, drejt lirisë së të gjithëve, drejt të drejtave pa përjashtim. Duket se të gjithë popujt, mbas përvojës së rëndë historike e kanë kuptuar deri në fund rëndësinë e parimit humanist mbi të cilën mençuria politike rekomandon të ndërtohen marrëdhënie mes njerëzve dhe popujve. “Nderomë në qoftëse do të të dua”! E nderomë- Gjithmonë ka pasur këtë kuptim, pranomë edhe t`i mua siç të pranoj edhe unë ty.

Më në fund s’mund të harrohet se historinë e popujve as kujtesa , as harresa nuk mund të urdhërohet. “Një populli mund ti mohohet sovraniteti në jetën ekonomike dhe politike por, megjithëse, nuk mund ti caktohet se çka do të harrojë, çka do të kujtojë e çka do të adhurojë e nga e kaluara e vet”, shkruan akademiku Rexhep Qosja në librin e tij “Populli i ndaluar”.

Shqiptarët janë bërë fakt për rëndësinë e tyre në Ballkan dhe më gjerë. Por nuk duhet të harrojmë së një trup i cunguar, do të thotë një komb i cunguar. Kalvari i vuajtjeve është i gjatë dhe pasoja më e rëndë e tij, Pa një trup të shëndoshë, shqiptarët nuk do të mund të bëjnë qoftë edhe një hap në rrugën e aspiratave të tyre kombëtare./rajonipress/