RCCOLA

Çështjet e sigurisë kombëtare

/ 4 minuta lexim

Nga Bekim Thaqi – Çështjet e sigurisë kombëtare, përfshijnë kërkesën për të ruajtur mbijetesën e shtetit dhe forcimit të mëtutjeshëm të tij, nëpërmjet projeksionit të pushtetit, fuqisë ushtarake, fuqisë politike, asaj ekonomike, diplomacisë, etj. Në çdo kohe dhe në çdo rast, të gjitha veprimet që kanë te bëjnë me çështjet e sigurisë kombëtare, kanë prioritet në krahasim me agjendat e tjera shtetërore.

Edhe Kosova ashtu si edhe shtetet tjera që kanë strategji dhe plane të sigurisë, duhet të ketë kujdes që sigurisë nacionale ti kushtoj vëmendjen e duhur, dhe të ketë institucione përgjegjëse që do merreshin me kërcënimet e mundshme të çfarëdo natyre.

Në vazhdën e kësaj, duhet edhe një koordinim i strukturave dhe hierarkisë përgjegjëse, duke filluar nga organet për ruajtjen e sigurisë e deri tek pozitat me te larta shtetërore, siç janë kryeministri dhe kryetari i vendit. Kosova si një shtet i ri është mjaft e cenueshme dhe duhet të ketë strategjinë e duhur dhe planet e saj të veprimit në rast të çfarëdo forme të kërcënimit që mund të vije përbrenda apo nga jashtë.

Çfarë e vë në rrezik sigurinë kombëtare? Siguria kombëtare vihet në rrezik, atëherë kur një ose më shumë interesa vitale të një vendi janë të kërcënuara. Këto interesa mund të përfshijnë sigurinë territoriale e cila ta zëmë do të rrezikohej nga një pushtim ushtarak apo kërcënime të natyrave të ngjashme, gjithashtu përfshin stabilitetin social dhe politik ku përfshihen shkeljet e sundimit të ligjit, jo-stabiliteti politik, tensionet ndërmjet komuniteteve, dhe ndër tjera edhe sigurinë ekonomike e cila mund te trazohet nga prishja apo rënia e sistemit bankar nga faktorët të ndryshëm, sistemit ekonomik apo çështjeve tjera që kane të bëjnë me mirëqenien e përgjithshme ekonomike të qytetarëve.

Uji Dea

Forma tjera të kërcënimit te sigurisë nacionale janë Çështjet si korrupsioni në nivel vendi, krimi kibernetik , vendet jo-mike dhe shërbimet e tyre të sigurisë, terrorizmi etj. Analizimi, krahasimi dhe trajtimi i kërcënimeve! Çdo vit, me plane strategjike afatgjata agjencitë qeveritare duhet të hetojnë kërcënimet e mundshme për vendin, sa serioze janë dhe si mund të merremi me to.

Ky proces ndahet përafërsisht në tre hapa 1. Përshkrimet e kërcënimeve: me cilat kërcënime mund të ballafaqohen nje vend i caktuar . 2. Krahasimi i kërcënimeve: Sa serioze do të ishin pasojat e një kërcënimi dhe sa ka gjasa të bëhet? 3. Përcaktimi i qasjes: si mund të zvogëlohet rreziku i një incidenti (parandalimi) dhe si mund të merremi me një incident nëse ndodh (përgatitja dhe përgjigja).

Nga ajo se sa Kosova do të jetë e aftë të përballet dhe të ketë strategji të mirëfilltë në lidhje me çështjet që e kërcënojnë sigurinë kombëtare do të varet shumë edhe përcaktimi se çfarë shteti kemi, dhe vetëm atëherë kur do jemi një vend stabil, do të mund të fokusohemi ne çështjet me te rëndomta qe e prekin jetën e përditshme te qytetareve ashtu si papunësia, mirëqenia dhe shëndeti.

Gjithashtu ne një botë ku po ri-pozicionohen polet e fuqive anëtarësimi i Kosovës në organizata te tilla si NATO, e BE do të ishte garanca më e mirë për mbrojtjen dhe parandalimin e çfarëdo rreziku për sigurinë kombëtare./rajonipress/