UBT

Çerkini: Dëshmorët po kujtohen vetëm në ditën e përkujtimeve – Krerët e UÇK-së në Hagë po harrohen

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, ka thënë se ideali për të cilin kanë rënë dëshmorët edhe sot pas 25 viteve nuk ka shkuar në vend. Ai ka thënë se institucionet vendëse, të rënët po i kujtojnë vetëm në ditët përkujtimore, raporton Ekonomia Online.Çerkini ka folur edhe për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, me ç’rast ka thënë se krerët e shtetit nuk po i përmendin.Çerkini i emocionuar duke folur për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjen Jashari, tha se Prekazi është i larë në gjak.

Ai po ashtu theksoi që, Rifat Jashari në çdo fjalim të tij i ka përmendur personat e pa gjetur.“Unë shtëpinë e Shaban Jasharit, e kam timen. Unë ja njohë babin edhe Ademi edhe Hamzës edhe të gjithëve atyre. E lanë Prekazin me gjak edhe as një herë baca Rifat nuk e ka mbajtur as një fjalim që nuk i ka përmendur edhe personat e pa gjetur. Kur kemi shkuar një herë e ka pyetur një gazetar sikur, baci Rifat po e keni vështirë se kur po dilni nga këtu jeni duke e parë varrezat. Ai tha se jo bre unë nuk e kam zor, këta e kanë zor se edhe këta e kanë larë Kosovën me gjak e nuk e dinë ku i kanë familjarët. Atëherë i kemi pasur 2800 të pa gjetur, tha 2800 vetë me ankth, e gjaku gjerë e gjerë Kosovës, jo vetëm në Prekaz por në krejt Kosovën e kanë larë me gjak. 4 mijë e diçka vetë ata e kanë më vështirë. Të gjithë po i harrojnë e ai nuk po i harron, të gjithë nuk i kanë përmend as një aty, e ai po. A thua pse? Sepse ideali i të gjitha atyre nuk është shkuar në vend”, tha ai.

Çerkini ka edhe disa fjalë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Ai i ka quajtur njerëzit më eminent për çlirimin e vendit. Për ta thotë se duke u harruar.

Eco Higjiena

Ai tha se shteti serb të gjithë ata që kanë kryer krime i ka shpallur heronj, e në Kosovë çlirimtaret as nuk përmenden, kjo sipas tij është duke ndodhur vetëm për karrige.“Njerëzit më eminent për këtë luftë që e kanë bërë janë në Hagë dhe as kush nuk i përmend. Është mëkat i madh mos të përmenden se janë njerëzit pa pikë faji në Hagë, kurse ata që kanë bërë faj janë shpallur hero Serbia, të gjithë ata që kanë bërë masakra, të gjitha i kemi më emër me mbiemër i ka shpallur hero. E ne çka jemi duke bërë në, as që i kemi përmend. A thua pse? Për karrige, për cilën karrige, por edhe nesër do të dalësh nga karrigia, a duhet që të mos i përmendim ne nga Ibrahim Rugova e këndej, a duhet që të harrohen të gjithë ata që kanë dhënë për kombin shqiptarë”, u shpreh Çerkini.

Ai kritikoi institucionet, duke thënë se po fotografohen para shtatorëve sa për sy e faqe. Këtë, nuk e quan njerëzore.“Në qoftë se shkon për ‘syreta’ (fotografi) para obiliskit të Kuvendit me vendos një lule e i thua dhjetë fjalë edhe kthehesh në zyre ma kurrë nuk të bjen në mend për ata, nuk ke bërë as gjë. Ne shkojmë në Epope e bëjmë shyret edhe e vizitojmë familjen e Jasharajve edhe të gjithë të tjerët kur është një moment i shënuar për dëshmorët edhe e vendosim një lule edhe ju kthejmë shpinën, nuk është njerëzorë që mos të bëhet një ligj edhe për dëshmorët, edhe veteranët, invalid edhe për të pagjetur. Këto shoqatat të dalura nga lufta e kanë dhimbjen, sepse po shkojnë vetëm e vetëm kur janë ditë e caktuara. Ose tek një dëshmorë, Zahir Pajaziti, Adem Jashari edhe shumë e shumë të tjerë për të cilët nuk ju ka hije që ti harrojnë menjëherë dhe mos me vepruar për idealin e tyre, mos me punu për idealin e tyre. Duhet me ja falë shtetin tonë fëmijët tonë për mos mi kerku, mos harroni se krimi kurrë nuk vjetrohet. Mos me pas ndjenja shteti për kaq njerëz e me shikuar vetëm kur është dita e përkujtimeve a, është marre, edhe atë ditë duhet që të ketë shumë vëmendje se çka je duke thënë”, tha ai.