Celina, talenti që po i sfidon yjet botërore

Bersant Celina dëshmoi fuqishëm se është e ardhmja e futbollit.
“Si familje jemi shumë të gëzuar që Bersanti debutoi në Ligën Premiere, madje këtë e bëri pikërisht në ditën kur ne ishim në vizitë tek ai. Ndoshta kjo e motivoi edhe më shumë që ai të japë më të mirën”, ka thënë në një rrëfim ekskluziv për gazetën tonë babai i Bersantit, Edvar Celina
City humbi, por e konfirmoi një talent të jashtëzakonshëm
Kosova përfundimisht ka fituar një talent të madh. Bersant Celina është ylli i ri, i cili ngadalë, por sigurt, ka nisur t’i bëjë krenarë shqiptarët. Debutimi fantastik në Ligën Premiere në fanellën e Manchester City-t, vetëm sa dëshmoi se ky djalosh është e ardhmja e futbollit modern. Mediet ndërkombëtare, ndonëse e cilësuan si një humbje zhgënjyese të Manchester City-t ndaj Liecester-it, gjithsesi ngushëllimin e gjetën te talenti kosovar, duke shkruar se City humbi lojën, por e fitoi një futbollist të jashtëzakonshëm.
Në një bisedë ekskluzive për gazetën tonë, babai i Bersantit, Edvar Celina, ka thënë se Bersanti pas ndeshjes është parë shumë i lumtur me debutimin, derisa duket se prania e familjes së tij në stadiumin “Etihad” në Mançester e ka motivuar atë shumë. “Si familje jemi shumë të gëzuar që Bersanti debutoi në Ligën Premiere, madje këtë e bëri pikërisht në ditën kur ne ishim në vizitë tek ai. Ndoshta kjo e motivoi edhe më shumë që ai të japë më të mirën”, ka nisur rrëfimin e tij Edvari, i cili nuk e fsheh aspak lumturinë për birin e tij./kosova sot/